Marrëveshja ishte arritur prej ditësh, ndërsa pasditen e sotme ka ardhur edhe zyrtarizimi. Gigio Donnarumma bëhet futbollisti më i ri i Paris Saint Germain, pasi ka firmosur me kryeqytetasit francezë një kontratë 5-vjeçare, nga e cila do të përfitojë rreth 12 milionë euro në sezon.
Gardiani që vetëm pak ditë më parë u shpall kampion Europe me Italinë dhe njëkohësisht futbollisti më i mirë i kompeticionit, ka nisur pushimet tashmë, por sezonin e ri do ta nisë në një tjetër kampionat dhe me një ekip të mbushur me yje si Neymar, Ramos, Mbappe, Wijnaldum, Hakimi, Marquinhos, Verratti, etj.
Portieri 22-vjeçar debutoi në Serinë A me Milanin në 2015-ën, kur ishte vetëm 16 vjeç dhe u rrit nga sezoni në sezon, duke u bërë një nga futbollistët më të kërkuar në merkato.
Këtë verë Donnarummës i skadoi kontrata me kuqezinjtë e Milanos dhe vendosi të mos rinovojë, pasi nuk gjeti gjuhën e përbashkët me drejtuesit për termat ekonomikë, ndërsa nga kjo situatë përfitoi PSG-ja, që i dha një pagë faraonike për ta transferuar në “Parkun e Princave”.
Reklamë
Marrëveshja mes palëve u arrit që pa filluar Europiani, teksa Donnarumma kishte kryer edhe vizitat mjekësore në Romë, menjëherë pas përfundimit të fazës në grupe, ndërsa zyrtarizimi erdhi vetëm pas përfundimit të Euro 2020-ës.
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.