×
  • Sport
  • Sport

    Volejbolli në kohë pandemie, flet Entela Muçolli

    Reporteri
    19 Maj 2020 | 16:20

    Çdo sport po kalon në vështirësi gjatë kohës së pandemisë. Ashtu është edhe për volejbollin, ndërsa sportistet mezi presin t’i rikthehen fushave.


    Volejbollistja e njohur, Entela Muçolli në një intervistë për Reporteri.net ka treguar disa gjëra në lidhje me situatën që është krijuar.

    Ajo thotë se skuadra e saj ishte favorite për ta fituar kampionatin dhe prandaj po i mungojnë shumë ndeshjet zyrtare me bashkëlojtaret e saj.

    “Natyrisht se na mungojnë ndeshjet. Pikërisht këtë sezon ne patëm një fillim shumë të mirë dhe ishim favoritët e Superligës”, ka thënë Entela për Reporteri.net

    Entela nisi karrierën e saj profesionale kur kishte 15-vite dhe që nga kjo moshë ajo është pjesë e skuadrës M-Technologie Prishtina.

    Edhe pse ka kohë pa u stërvitur apo luajtur ndonjë ndeshje, ajo tregon se si po e kalon kohën në shtëpi.

    “Pavarësisht situatës që gjendemi, po mundohem që të merrem me aktivitete fizike në kushte shtëpiake, me mjete që i posedoj. Po ashtu edhe vrap në natyrë në kohën kur e kam të lejuar të dal sipas rregullave të IKSHPK-s” shtoi volejbollistja kosovare.

    Muçolli është pjesë e Kombëtares së Kosovës. Ajo ka luajtur për grupmoshat U16 dhe U18, kurse së fundi është edhe pjesë e ekipit A.

    Në ekipin ku luan ajo, ka edhe volejbolliste të huaja. Si po kalojnë ato në këtë kohë, flet Muçolli!

    “Lojtaret janë të kalibrit të lartë profesional dhe me mjaftë përvojë. Ato po e përballojnë mjaftë mirë situatën e karantinuar dhe janë të kënaqura me kushtet që po ua ofron klubi dhe po mundohen që të ruajnë formën të njëjtë në mënyrë si ne”, tha Entela.

    Klube të shumta kosovare dhe europiane kanë pasur probleme financiare në këtë kohë pandemie, por Entela thotë se skuadra ku luan ajo ka qenë shumë korrekte me pagat për volejbollistet.

    “Klubi gjithmonë ka qenë i rregullt me pagesat dhe vazhdon të jetë edhe në këtë kohë pandemie”, janë fjalët e Muçollit.

    Për fund, ajo dëshiron që kjo situatë e krijuar të përfundoj sa më shpejtë në mënyrë që të kthehet në normalitet dhe njëkohësisht të luftojnë për titullin kampion, e që ishte qëllimi kryesor i këtij sezoni.

    Autori: Granit Tërstena.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!