Sot stadiumi ‘Fadil Vokrri’ do të mirëpresë yjet kosovarë jo vetëm të futbollit, por edhe të muzikës, boksit e basketbollit, me të vetmin qëllim, mjetet e grumbulluara të ndahen për bamirësi.
Ylli kosovar, Milot Rashica pritet të jetë kapiten i njërës skuadër që përfshinë yje si: Haxhi Krasniqi, Ermir Lenjani, Shefki Kuqi e Ledri Vula, shkruan Reporteri.net
Në anën tjetër, ‘kundërshtari’ i Milotit, Granit Xhaka pritet të ketë në krah yje si: Mc Kresha, Debatik Curri, Dukagjin Lipa, Mergim Mavraj, Dardan Berishën e madje edhe babain e tij Ragip Xhakën.
Graniti ka folur për këtë ndeshje dhe rëndësinë e saj, duke theksuar se kjo ndeshje i dedikohet më meritorit pse futbolli i Kosovës ka zhvilluar hapa të mëdhenj e po korrë suksese, të ndjerit Fadil Vokrrit.
“Ne të gjithë e dimë se çfarë njeriu, çfarë sportisti ka qenë Fadil Vokrri, një humbje shumë e madhe për Kosovë, po edhe ashtu shumë krenarë me Fadil Vokrrin edhe sot kjo loja shkon edhe për to”, ka thënë Graniti.
Kujtojmë që ndeshja do të udhëhiqet nga dy trajnerët e mirënjohur kosovarë, Afrim Tovërlani e Ismet Munishi.
Tovërlani do të jetë trajner i skuadrës së Granit Xhakës, ndërsa Munishi do ta ketë nën urdhërat e tij përsëri atë që e shpalli kampion me Vushtrrinë, Milot Rashicën.
Ndeshja fillon nga ora 20:00./Reporteri.net/