×
  • Sport
  • Sport

    Zi e terr për Werderin e Rashicës, eliminohet nga Kupa e Gjermanisë

    Reporteri
    04 Mars 2020 | 23:23

    Werder Bremen është eliminuar nga Kupa e Gjermanisë, pasi u mund 2:0 në çerekfinale nga Eintracht Frankfurt, me Milot Rashicën që qe i pafuqishëm ta parandalojë thellimin e krizës në skuadrën e tij.


    Andre Silva nga penalltia dhe Daichi Kamada i shënuan golat e triumfit për Frankfurtin, i cili iu bashkua Saarbruckenit, Bayern Munichut dhe Bayer Leverkusenit në gjysmëfinalen e këtij edicioni.

    Werderi e vizitoi Frankfurtin në Commerzbank Arena, i vetëdijshëm se kupa ishte gara e vetme ku do të mundë ta gjente shpëtimi në një sezon shumë të dobët këtë edicion.

    Skuadra e Florian Kohfeldt iu fut këtij takimi me synim për ta arritur gjysmëfinalen e dytë radhazi, por në formë tmerrësisht të dobët, pasi i ka humbur pesë ndeshjet e fundit radhazi në Bundesligë, në një betejë tejet të vështirë për mbijetesë pasi renditet e parafundit në tabelë.

    Ylli i Kombëtares së Kosovës Rashica me shokë u munduan duke krijuar shumë raste, por pa arritur ta gjenin rrjetën e portës, ndërkohë që vendasit ishin vrastarë para portës së Werderit.

    Rashica ishte në kërkim të golit të shtatë në shtatë ndeshjet e fundit në këtë garë, pasi në takimin e 1/8 kundër Dortmundit kishte shënuar për t’u futur në histori të klubit, si lojtar i vetëm që shënon në gjashtë ndeshje radhazi në Kupën e Gjermanisë.

    Werderi tani do të përqendrohet 100 për qind në ndeshjet e mbetura në Bundesligë, në një betejë të vështirë për t’i shpëtuar rënies në Bundesliga 2, kategorinë e dytë të futbollit gjerman.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!