Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) përmes një konference për shtyp ka bërë prezantimin e përzgjedhësit të ri të Kosovës, i cili do të jetë gjermani Franco Foda, shkruan Reporteri.net.
Kreu i FFK-së, Agim Ademi, ka thënë se kontrata e nënshkruar me Fodën është dy vjeçare.
Ademi ka thënë se trajneri i ri do t’i ketë duart e lira, dhe se FFK do ta ndihmojë për çka ai të ketë nevojë.
“Urime për trajnerin e ri. Uroj që siç është përputhur programi i tij me projektin tonë, të ketë edhe rezultate. Foda është trajneri i rezultateve. Ne këtë pjesë, duam rezultate sepse e kemi bërë zhvillimin tonë. Shpresojmë që Foda të jetë trajneri që do të ngelë në historinë e Kosovës, për ta kualifikuar në garat evropiane. Foda ka qenë në Kosovë para dy javësh. I ka parë kushtet dhe ka vendosur. Ka kontratë dyvjeçare. Në këto dy vjet, në këto garat e radhës, do të realizojmë programin e tij dhe kërkesat tona. Në futbollin tonë s’ka asgjë të sigurt, por ne po përpiqemi ta bëjmë punën sa më të mirë. Foda i ka duart e lira për të vendour, po vjen me ekipin e tij, nuk do të ketë asnjë ndërhyrje, por do ta ketë mbështetjen e Federatës”, ka thënë Ademi.
Kurse Foda ka thënë se Kosova ka lojtarë të mirë dhe se beson se do të ketë sukses.
Sa i përket situatës së Zhegrovës, Foda thotë se është trajneri i të tashmes.
“Nuk jam njeri që e shoh të kaluarën. E shoh të ardhmen. Zhegrova është lojtar shumë i mirë dhe do të kaloj shumë mirë me të. Kushdo që është i gatshëm të japë 100 për qind për Përfaqësuesen, është i mirëseardhur. Kushdo që performon mirë ka vend te Kosova”, ka theksuar ai.
Ai ka thënë se do të që jetojë në Prishtinë, por do të qëndrojë edhe jashtë Kosovës për të parë lojtarë të ndryshëm që luajnë në liga të ndryshme.
57-vjeçari ka një karrierë të pasur, pasi për rreth pesë vite ka drejtuar Kombëtaren A të Austrisë, ku ka drejtuar në 48 ndeshje dhe ka një mesatare prej 1,81 pikëve. /Reporteri.net/.