Në Hong Kong vijon rebelimi i qytetarëve kundër pushtetit dhe beteja për më shumë liri dhe demokraci. Apeli i tyre këtë fundjavë iu drejtua qeverisë britanike.
Ndërsa në zona të tjera të qytetit, mbështetësit e Pekinit u përleshën fizikisht me demonstruesit.
Hong Konu mbajti të shtunën një manifestim përpara konsullatës britanike me apelin për mbështetje politike.
Protestuesit kënduan himnin mbretëror të Britanisë së Madhe dhe valëvitën flamurin e saj kombëtar.
Ish-kolonia angleze iu dorëzua Kinës në vitin 1997 në bazë të formulës “një vend, dy sisteme”, që parashikonte lirinë dhe autonominë e qytetit nga Pekini.
“Deklarata e përbashkët premtonte se populli i Hong Kongut do të gëzonte liri themelore si liria e të shprehurit, e tubimit, e protestës apo e votës, por të gjitha këto tani po na i mohojnë,” deklaroi një nga protestuesit, duke i bërë thirrje qeverisë britanike se e ka detyrim moral mbrojtjen e kauzave të tyre.
Të shtunën, protestat në territorin gjysmautonom kinez hynë në javën e 15-të.
Këtë radhë nuk pati tensione me forcat e rendit, por u shënuan përplasje fizike mes protestuesve për demokracinë e Hong Kongut dhe grupeve kundërshtare që lëshonin slogane në favor të Pekinit.
Kundër këtyre të fundit dolën në rrugë qindra studentë duke treguar përkrahjen për qytetin e tyre me këngë dhe mesazhe në mur.
Tashmë kërkesat kryesore të protestuesve janë hetimi i dhunës policore dhe ndërmarrja e reformave për të garantuar të drejtën e pakushtëzuar të votës.
Demonstruesit druhen se aksioni i tyre mund të shtypet brenda dy javëve të ardhshme, teksa afron data e 70-vjetorit të themelimit të Republikës Popullore të Kinës.