×
  • Lajme
  • Lajme

    Arrin në 13 numri i nxënëseve në Gjakovë që dyshohet se kanë lënduar veten të nxitura nga “loja” në TikTok

    Reporteri
    08 Tetor 2024 | 20:03

    Ka shkuar në 13 numri i rasteve të konfirmuara i nxënëseve që i kanë lënduar duart e tyre me mjete të mprehta në Gjakovë.

    Dyshohet se këto nxënëse janë të klasave 6 deri 9 të shkollave në Gjakovë dhe e kanë lënduar veten në duar me mjete të mprehta, pasi janë nxitur nga një video (lojë) në ‘TikTok’.

    Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com drejtoresha e Arsimit e Komunës së Gjakovës, Eranda Kumnova-Baçi.

    Të gjitha këto raste janë duke u hetuar nga Policia dhe zëdhënësi i Policisë në Gjakovë, Sheremet Elezaj, e ka konfirmuar se është shtuar numri i nxënëseve që e kanë lënduar veten pasi janë kontrolluar shkollat dhe nxënësit.

    Elezaj e ka konfirmuar po ashtu se në të gjitha rastet në Gjakovë bëhet fjalë për nxënëse që e kanë lënduar veten.

    “Janë intervistuar edhe dhjetë nxënëse të tjera, mbi dyshimin se kanë lënduar veten në periudha të ndryshme kohore”, ka thwnw Elezaj.

    E kontrollat te nxënësit janë realizuar nga drejtorët e shkollave, me kërkesë të drejtoreshës Kumnova-Baçit, pasi u raportua fillimisht se tri nxënëse e kanë lënduar veten në duar me mjete të mprehta, më 08.10.2024.

    “Sot masi u kam thanë drejtorëve [të shkollave] që me hy në kontrolla në krejt klasat, d.m.th. në ora 16:00 e kam marrë prej Policisë një numër deri në 13 [raste]… Të konfirmuara janë 13 raste” – ka thënë Kumnova-Baçi më 08.10.2024.

    Kumnova-Baçi nuk ka pranuar të japë informacione se të cilave shkolla janë nxënësit që e kanë lënduar veten në duar, por vetëm ka thënë se janë të shkollave të ndryshme në Gjakovë dhe se të gjitha janë vajza.

    “Krejt janë vajza…Janë të lënduara në duar, e njëjta, d.m.th. të njëjtat shenja janë, në dorë, vetëm në të dy duart” – tha ajo.

    Pasi dyshohet se të 13 nxënëset e kanë lënduar veten të nxitura nga një video (lojë) në ‘Tiktok’, drejtoresha Kumnova-Baçi është interesuar ta shohë këtë video (lojë) dhe dyshon se njëjtë kanë vepruar edhe nxënëset në Gjakovë që i kanë lënduar duart e tyre.

    “Kjo është një sfidë është në ‘TikTok’ se unë hina edhe e pash masnej se më interesojke kështu. Ata e marrin mprehësen e lapsave, e kanë një pjesë të mprehtë që hjeket me një kështu të vogël që i mprejnë lapsat, a po e din, është si një brisk i vogël. Atë e hjekin dhe atë e marrin me veti, e përdorin me bo, d.m.th. me atë e bëjnë [lëndimin]” – ka treguar Kumnova-Baçi.

    Tutje, përveç 13 rasteve të konfirmuara të nxënëseve që e kanë lënduar veten e që janë duke u hetuar nga Policia, sipas Kumnova-Baçit, ka edhe raste të tjera të nxënësve që janë duke u intervistuar në Polici për momentin e që dyshohet se katër prej tyre janë nxënës të shkollës së mesme të lartë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!