×
  • Lajme
  • Lajme / Dokument

    945 milionët nga Plani i Rritjes, Qeveria shqyrton nesër propozim-vendimin për miratimin e Agjendës së Reformave

    Reporteri
    08 Tetor 2024 | 22:18
    Fotografi nga një mbledhje e Qeverisë së Republikës së Kosovës

    Qeveria e Kosovës do të mbajë nesër një mbledhje, me fillim nga ora 11:00. Gazeta Online Reporteri.net ka siguruar rendin e ditës për këtë mbledhje, ku figurojnë 27 pika.

    Pika e parë e rendit të ditës është Shqyrtimi i Propozim-vendimit për miratimin e Agjendës së Reformave të Kosovës në kuadër të Instrumentit të BE’së për Reforma dhe Rritje Ekonomike në Ballkanin Perëndimor.

    Secili vend është dashur ta përgatisë një agjendë reformash, të bazuar në rekomandimet paraprake të trupave të BE-së. Kosova ka qenë ndër vendet e para që e ka dorëzuar planin e saj në Komisionin Evropian. Këto reforma janë kusht për përfitimin e mjeteve nga Plani i Rritjes, 6 miliardësh, i Bashkimit Evropian.

    “Sektorët kyç të prekur e fokusuar janë ato të qeverisjes së mirë dhe administratës publike, tranzicioni drejt energjisë së ripërtëritshme dhe digjitalizimit, zhvillimi i sektorit privat dhe ambientit të të bërit biznes, zhvillimi dhe ruajtja e kapitalit njerëzor, dhe sundimi i ligjit, e ku parashihet realizimi i rreth 30 reformave dhe mbi 100 aktiviteteve, të shtrira përgjatë një periudhe kohore 3 deri në 4 vjeçare. Hapi i radhës është përfundimi i listës së projekteve, e ku puna po vijon në negociata dhe konsultime me institucionet e Bashkimit Evropian. Vendi ynë pritet të përfitojë nga Plani i Rritjes një shumë prej rreth 945 milionë euro, të cilat do shërbejnë në zbatimin e reformave dhe projekteve investive”, kishte shkruar zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, kur kishte njoftuar për dorëzimin e narrativit në fund të majit të këtij viti.

    Kusht tjetër për Kosovën është edhe angazhimi në mënyrë konstruktive me progres të matshëm dhe rezultate të prekshme në dialog.

    Plani i Rritjes do të mbulojë periudhën nga viti 2024 deri në vitin 2027.

    Kosova do të mund të përfitojë mbi 900 milionë euro nga Plani i Rritjes. Pagesat do të bëhen dy herë në vit, në bazë të kërkesave të paraqitura nga shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe pas verifikimit nga Komisioni për arritjen e kushteve relevante të pagesës, parakushteve dhe kushteve të përgjithshme, si stabiliteti makrofinanciar, menaxhimi i shëndoshë i financave publike, transparenca dhe mbikëqyrja e buxhetit. Nëse kushtet e pagesës nuk plotësohen, Komisioni do të pezullojë ose do të zbresë një shumë përkatëse nga pagesa. Vendi pastaj do të ketë 1-2 vjet kohë për të përmbushur kushtet, në të kundërt shuma do të rishpërndahet mes të tjerëve në vitet në vijim.

    Pikat tjera të rendit të ditës janë shqyrtimi i disa projektligjeve dhe miratimi i disa propozim vendimeve lidhur me shpronënësimet e disa pronave që preken nga ndërtimi i rrugëve.

    Në këtë mbledhje do të shqyrtohet edhe kërkesa e Ministrisë së Shëndetësisë për pagesën e 22 specializantëve me vetëfinancim nga Lugina e Preshevës, Republika e Shqipërisë dhe Republika e Malit të Zi.

    Do të shqyrtohet edhe propozim-vendimi për ndryshimin e Vendimit të 13 dhjetorit 2022 për miratimin e Planit të Veprimit të Zbutjen e Ndikimit të Menjëhershëm Socio Ekonomik të Krizës Energjetike.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!