Në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, sot po mbahet seanca fillestare ndaj të akuzuarve për sulmin terrorist në Banjskë, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur më 11 shtator një aktakuzë ndaj 45 personave, të cilët akuzohen për terrorizëm, financim të terrorizmit dhe vepra të rënda penale, por vetëm tre prej tyre janë në dispozicion të organeve të drejtësisë: Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq.
Kujtojmë se më 25 shtator janë sjellë Gjykatës Themelore në Prishtinë tre të dyshuarit për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, por për shkak se mbrojtja e të akuzuarve Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq kërkoi të ndërpritet seanca fillestare me arsyetimin se kanë pranuar shkresat e lëndës në mënyrë elektronike dhe me vonesë, seanca u ndërpre, menjëherë pas identifikimit të të dhënave personale të tyre, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Lidhur me sulmin e vitit të kaluar, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, tri javë më parë ngriti aktakuzë ndaj 45 personave.
Prokurori i rastit, Naim Abazi kishte thënë se ky rast përfshin ngritjen e aktakuzës kundër një grupi të strukturuar kriminal të përbërë nga 45 persona të cilët dyshohen për veprat penale kundër rendit kushtetues juridik, kryerja e veprave terroriste, financim të terrorizmit dhe shpëlarje parash.
“Ndër të akuzuarit kryesor është edhe udhëheqësi kryesor i grupit, Milan Radoiçiq, cili ka luajtur rol të rëndësishëm në koordinimin dhe veprimtarinë kriminale”, kishte deklaruar Abazi. /Reporteri.net/