Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë një vizite në Leposaviq mëngjesin e sotëm, para gazetarëve ka folur edhe për vendimin e fundit të Qeverisë së Kosovës për ndryshimin e masës ndaj mallrave që hyjnë nga Serbia në territorin e Kosovës, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Kryeministri tha se në pikën e vetme që është hapur, në Merdare, kontrollet po bëhen në mënyrë manuale pasi siç tha ai ende s’kanë marrë skanerë, dhe se pikat e tjera kufitare do të hapen kur të merren këta skanerë.
“Kemi hapur kufirin e Merdarës, edhe pse nuk kemi marrë ende skaner, edhe pse na kanë premtuar, aty po bëhet kontrolli manual, por kufijtë e tjerë që kemi me Serbinë që janë disa qindra kilometra do të të hapen kur të mbërrijnë skanerët”, tha Kurti para gazetarëve në Leposaviq.
Ai ka theksuar se Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me doganat e Kosovës kanë tentuar të blejnë skanerë, por se kanë marrë premtimin për donacion nga Evropa dhe SHBA-ja.
Por se kur do të merren këta skanerë, kryeministri Kurti tha se nuk e di.
“Nuk e di se kur do të jetë, por deri atëherë duhet ta bëjmë atë kontroll manual, i cili nuk është i mirë për doganierët tanë, por është i nevojshëm”, sqaron kryeministri i Kosovës.
Të hënën e 7 tetorit, Kryeministri Albin Kurti në konferencën për media me Hekuran Muratin, ku dhe njoftoi për rritjen prej 20 për qind të pensioneve të moshës, bëri të ditur se edhe masa për mallrat serbe tashmë është ndryshuar, në atë në “kontroll të detajuar”.
Kjo masi ishte vendosur në qershor të vitit të kaluar, pas rrëmbimit të tre policëve nga Serbia e që po atë ditë Dogana e Kosovës ishte urdhëruar që ta ndalojë hyrjen e të gjitha mallrave serbe në Kosovë.
Ndërkombëtarët, veçanërisht Gjermania vazhdimisht ishte kërkuar që të largohej kjo bllokadë nga Qeveria e Kosovës, e cila pati paralajmëruar se Kosova mund të mbetet edhe jashtë Procesit të Berlinit nëse nuk do të ndërmerrte veprime për ndryshimin e masës.
Tani me ndryshimin e masës, vendimi u mirëprit nga aleatët e Kosovës.
Ambasadori në Kosovë, Jeff Hovenier tha gjatë ditës së djeshme se është i kënaqur me vendimin dhe se Kosova është një hap i rëndësishëm në rrugën drejt integrimit evropian.
“Ne vlerësojmë partnerët tanë ndërkombëtarë për përpjekjet e tyre të vazhdueshme për të promovuar tregtinë e lirë në rajon”, shton ambasadori amerikan.
Për heqjen e masës ndaj mallrave nga Serbia foli edhe ambasadori gjerman, Jorn Rohde, i cili tha se kjo lëvizje ndihmon në zhbllokimin e CEFTA-s.
“E përshëndes vendimin e Qeverisë së Kosovës për hapjen e pikës kufitare Merdarë për mallrat që vijnë nga Serbia. Ky shënon një hap të rëndësishëm drejt zhbllokimit të CEFTA-s. Ne do të mbështesim Qeverinë e Kosovës, për të siguruar plotësimin e nevojave të sigurisë dhe monitorimin e proceseve në pikën kufitare”, shkroi Rohde në platformën “X”.
Reagim pati edhe nga ambsada italiane në Kosovë, e cila tha se një vendim i tillë është kyç për integrimin rajonal nga Procesi i Berlinit dhe një hap më afër drejt integrimit evropian për Kosovën.
/Reporteri.net/