×
  • Lajme
  • Lajme / Aksioni i PSRK-së

    Bastisja në MMPHI, Kurti i painformuar: Ministria s’është e Liburn Aliut, ne jemi veç shërbëtorë e jo pronarë

    Reporteri
    09 Tetor 2024 | 13:37

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është deklaruar rreth aksionit të djeshëm në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës të udhëhequr nga Liburn Aliu. Kreu i ekzekutivit tha se “Ministria s’është e Liburn Aliut pasi ai është veç Ministër”, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Madje Kryeministri shpjegoi se fjala “Ministër” vie nga latinishtja e që i bie “shërbëtor”, duke shtuar se të gjithë janë shërbëtorë dhe “asnjëri pronar”.

    Për rastin në fjalë, Kryeministri Albin Kurti tha se personi i parë që është arrestuar punon prej dy dekadash në institucione të Kosovës por që ai s’ka informacione se për çfarë janë hetuar e arrestuar.

    Siç tha ai e ka të pamundur të flas duke qenë se s’ka informacione.

    “Së pari Ministria nuk është e Liburn Aliut, ai vetëm është ministër në Ministri të Mjedisit dhe Planifkimit Hapësinor, e ministria është në kuadër të Qeverisë së Kosovës, e që të gjithë jemi këtu punëtor, nuk jemi pronar asnjëheri, jemi shërbyes. Fjala ministër vjen nga latinishtja që është shërbëtor. Kjo s’është dashur të jetë asnjëherë, por ndoshta nga e kaluara kur ashtu është dukur se ashtu është sjellur, kanë ngelur këto keqkuptime”.

    “Personi i parë i arrestuar është një zyrtar i cili punon në institucione të Kosovës prej dy dekadash dhe unë nuk kam informacion për çfarë janë hetuar, arrestuar e përndjekur, nuk e di këtë gjë, por besoj se gjithçka do të sqarohet , sepse drejtësia do të veproj, por nuk mundem në kushtet kur mungon informacioni përveç imazheve të cilat shfaqen në mediat tona të jap gjykime përmbajtjesore. E kam të pamundur”, shtoi ai.

    Gjatë ditës së djeshme, Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorine Speciale të Kosovës kanë kryer bastisje në Ministrinë e cila udhëhiqet nga Liburn Aliu, ku u vu nën pranga, Izedin Bytqyqi, sekretar pranë Ministrisë së Mjedisit, ndërsa i dyshuari tjetër, Naser Hafizi pas një kontrolli nuk është gjetur në banesën e tij, ndërsa më vonë u lajmëruar duke thënë se ndodhet për vizitë zyrtare në Francë dhe do të lajmërohet të enjten.

    Gjatë bastisjes, Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se janë sekuestruar, një revole e tipit MAUSER-WERKR me dy (2) karikator me nga shtatë fishekë, dhe një kuti me pesëdhjetë e katër fishekë 9 mm. Po ashtu sipas komunikatës janë sekuestruar tridhjetë e katër fletë dokumente të ndryshme, tre telefonë, një ) IPhone 15 ProMax, një IPhone 12 ProMax, një IPhone 11 ProMax.
    Gjithashtu janë sekuestruar shtatëmbëdhjetë USB, tre llaptop HP, katër shtëpiza kompjuteri si dhe dokumente të rëndësishme për procedurën hetimore.

    Izedin Bytyqi dyshohet se ka kryer veprat penale: “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” dhe “Armëmbajtje pa leje”, kurse i dyshuari tjetër Naser Hafizi dyshohet se ka kryer veprat: “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” “Shpëlarje e parave” dhe “Mosraportim apo raportim i rremë i pasurisë i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër pasurore ose i detyrimeve financiare”.

    /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!