×
  • Lajme
  • Lajme / Reagimi

    Audo-incizimi me Radoiçiqin, Kusari-Lila: Montazhet janë përpjekje të kota, përgjigjen do ta marrin me 9 shkurt

    Reporteri
    09 Tetor 2024 | 15:32

    Shefja e grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila ka reaguar pas publikimit të audio-incizimit të sotëm duke thënë se po e mbrojnë Radoiçiqin me “sound bites” dhe montazha të bisedave me Slavko Simiq, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Në një postim të bërë në Facebook, Kusari-Lila thotë se po shihet se hallin e kanë të madh përderisa bëjnë permutacione të së njëjtës bisedë pesë herë.

    “Këta, të njëjtit, me çdo kusht po duan t’ja bëjnë avokatin dhe argatin. Po e mbrojnë Radojçiqin me sound bites dhe montazha të bisedave me ish deputetin Slavko Simiq, e fundit bisedë në qershor të 2022-tës, pas së cilës ai u nxorr jashtë nga zyra ime”

    “Megjithatë, shihet se hallin e kanë të madh përderisa bëjnë permutacione të së njëjtës bisedë për të pestën herë”, ka shkruar Kusari-Lila në Facebook.

    Tutje shefja e grupit parlamentar të VV-së thotë se një gjë e tillë u bë sot pikërisht në ditën e seancës gjyqësore për sulmin në Banjskë, por që sipas saj “të kotë e kanë” pasi siç thotë ajo me 9 shkurt do ta marrin përgjigjen.

    “Nuk ka luftë hibride që na përkul”, thotë mes tjerash Kusari-Lila.

    “Kësaj radhe në ditën e seancës gjyqësore për sulmin terrorist në Banjskë. Por të kotë e kanë. Me 9 shkurt do ta marrin përgjigjen. Radojçiqi dhe krejt aleatët e mbështetësit e tij janë të mundur dhe kurrë më nuk kthehen në Kosovë, përveç se duarlidhur. Atyre të cilëvë po ju mungon, duhet të mësohen pa të. Nuk ka luftë hibride që na përkul”, ka shkruar ajo.

    /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!