Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar për disa nga vendimet që u morën në mbledhjen e sotme të Qeverisë.
Me vendimet e kësaj mbledhje, Kurti ka thënë se është kaluar numri i 2 mijë vendimeve të miratuara dhe numri i 300 projektligjeve.
Postimin e ka nisur me vendimin për miratimin e Agjendës së Reformave në kuadër të Planit të Rritjes të Bashkimit Evropian për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Sipas Kurtit, me zbatimin e reformave të dakorduara me Komisionin Evropian, Kosova mund të përfitojë deri në 882,6 milionë euro, shkruan Reporteri.net.
“Mes vendimeve të tjera të kësaj mbledhjeje: Dërguam në Kuvend pesë Projektligje, atë për: – Shërbimet e Pagesave; – Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore; – Financimin e Menaxhimit të Resurseve Ujore; – për Lëndët Plasëse; dhe – Kundër Dukurive Negative në Sport – Me Projektligjin për Shërbimet e Pagesave hapet rruga për anëtarësim në zonën SEPA (Single Euro Payments Area). Anëtarësimi në SEPA, sipas një studimi të “German Economic Team”, u mundëson qytetarëve kursimin e rreth 55 milionë eurove në vit, të cilat ishin shpenzime të mëhershme të transfereve ndërbankare e ndërkombëtare të parave”, ka shkruar Kurti.