Të mërkurën, i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof qëndroi në Beograd. E sot, vizitën e tij do të vazhdoj edhe në Kosovë. Këtë e konfirmoi edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ndërsa tha se duhet pritur deri në atë moment që të dihet se “çfarë do të mund të presim prej tij”.
Ai u pyet në një konferencë për media për vizitën e Kasanof dhe se a mund të presë prej diplomatit amerikan “konfirmim shtesë sa i përket dialogut që pritet të zhvillohet këtë vjeshtë”.
“Do ta mirëpresim zyrtarin e lartë të State Departmentit amerikan nesër këtu në Prishtinë. Do të zhvillojmë takim me të. Dhe, ju e dini që ai është në vend të ish-zyrtarit të lartë i cili ka qenë shumë herë në Kosovë, zotit Gabriel Escobar dhe tash edhe me Alexander Kasanof besoj që do ta vazhdojmë bashkëpunimin tonë”, tha ai.
“Se çfarë do të mund të presim prej tij, besoj që duhet të kemi një durim prej 24 orësh”, theksoi kryeministri.
Gjatë qëndrimit të tij sefte në Prishtinë, Kasanof pritet të zhvillojë takime me disa nga drejtuesit e shtetit, me vesh gazeta online Reporteri.net.
Takimet në qendër të diskutimit parashihet ta kenë dialogun e Brukselit dhe zbatimin e Marrëveshjes Bazë dhe asaj të Ohrit, me Serbinë.
Vizita e parë e Alexander “Sasha” Kasanof në kryeqytetin kosovar ndodhë në periudhën kur marrëdhëniet e Qeverisë së Kosovës prej muajsh janë në pikën më të ulët ndonjëherë, për shkak të veprimeve të pakoordinuara të ekzekutivit kosovar në veri të vendit. /Reporteri.net/.