Zëvendëskryeministri i vendit, Besnik Bislimi sot do të zhvillojë një takim me emisarin special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Në konferencën për media pas mbledhjes së qeverisë të mërkurën, ai tha se Lajçaku është duke punuar drejt caktimit të një takimi të radhës të kryenegociatorëve.
“Emisari Lajçak është duke punuar drejt caktimit të një takimi të radhës të kryenegociatorëve. Nuk e di kur do të jetë ai takim. Unë nesër (sot) do ta takojë Lajçakun dhe pastaj do të mund të dakordohemi se si ecët më tutje”, tha Bislimi.
Bashkimi Evropian vazhdimisht ka kritikuar palët për moszbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.
I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, qëndroi në Kosovë e Serbi muajin e shkuar për të organizuar një takim në nivel kryenegociatorësh në Bruksel.
As nga ky takim nuk pati ndonjë rezultat konkret.
Kosova dhe Serbia vazhdojnë ta akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje të marrëveshjeve të arritura në Bruksel dhe Ohër vitin e kaluar.
Në rundin e dialogut të nivelit të lartë, të mbajtur më 26 qershor, Bashkimi Evropian tha se Kurti nuk ishte i gatshëm për një takim trepalësh me ndërmjetësit evropianë dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Kurti i paraqiti tri kushte për rikthim në tryezën e negociatave.
Përveç dorëzimit të Radoiçiqit, Kurti ka kërkuar që Serbia të tërhiqet nga letra që kishte dërguar në bllokun evropian ish-kryeministrja Ana Bërnabiq, përmes së cilës Beogradi shprehu rezerva për Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit të raporteve. Kurti ka kërkuar që kjo marrëveshje, e arritur vitin e kaluar të nënshkruhet. /Reporteri.net/