I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof, u prit nga liderët e Kosovës, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, në takime ndaras të enjten në Prishtinë.
Pas takimit me Kasanofin në zyrën e saj, Osmani tha se Kosova ka nevojë për dialog strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në njoftimin e Presidencës thuhet se në takim u diskutua për forcimin e mëtejshëm të aleancës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe për rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë për t`i përmbushur synimet e përbashkëta strategjike.
“Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e saj të thellë për përkrahjen e vazhdueshme të SHBA-ve ndaj Kosovës, duke shtruar nevojën e dialogut strategjik me SHBA-në, si një hap i rëndësishëm në fuqizimin e partneritetit, kërkesë kjo që ka vite që është përcjellë nga Presidentja Osmani.
Takimi me Kasanof, Osmani thekson nevojën e dialogut strategjik me ShBA-në
Pas Osmanit, Kasanof është takuar edhe me kryeministrin Kurti.
Temë e takimit ishte edhe dialogu me Serbinë, ku sipas Zyrës së Kryeministrit, Kurti ka shprehur konstruktivitetin e Kosovës në proces dhe nevojën për zbatimin e plotë dhe sa më parë të Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe Aneksit Implementues të Ohrit.
Kurti ka shprehur vlerësimin e lartë për marrëdhëniet e fuqishme bilaterale mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe kontributit të tyre në çlirimin, pavarësimin dhe zhvillimin e shtetit tonë.
“Me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndajmë vlera dhe qëllime të përbashkëta, si miq, aleatë e partnerë, e cila reflektohet edhe nga dëshira e perceptimi edhe i vetë qytetarëve të vendit tonë. Kryeministri Kurti falënderoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës për bashkëpunimin në fushën e ekonomisë, energjisë, sigurisë e më gjerë. Theksoi edhe progresin demokratik, ekonomik e shoqëror që ka njohur vendi ynë përgjatë këtij mandati qeverisës, me ç’rast veçoi edhe rëndësinë e sigurisë dhe të sundimit të ligjit.”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit pas takimit.
Më tej u tha se kryeministri theksoi edhe domosdoshmërinë e bashkëpunimit rajonal në pritje edhe të samitit të Procesit të Berlinit të hënën e ardhshme, ku trajtoi nevojën e zbatimit të marrëveshjes për lëvizjen e lirë mes Kosovës dhe Bosnjë dhe Hercegovinës, e cila i kontribuon qytetarëve të dy vendeve.
”Duke folur për marrëdhëniet bilaterale, kryeministri Kurti trajtoi mundësitë e bashkëpunimit edhe me emisarin e ri Alexander Kasanof si dhe partnerët tanë evropianë pas zgjedhjeve të mbajtura dhe komisionerëve të rinj. Ai shtoi dhe rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe bashkëpunimin e dyanshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në këtë drejtim”, u tha në njoftim.
Kasanof vizitoi Kosovën për herë të parë si i dërguar amerikan për Ballkanin Perëndimor – pasi e pasoi Gabriel Escobarin. Emisari amerikan erdhi në Prishtinë pas një vizite në Serbi dhe në Bosnje e Hercegovinë gjatë kësaj jave. /Reporteri.net/