Kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, ka reaguar lidhur me situatën e fundit rreth anëtarësimit të komunave veriore në Asociacionin e Komunave.
Zeqiri ka thënë se komuna që drejton, ka qenë pjesë e AKK-së, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Si Kryetar i Komunës së Zubin Potokut, dua të sqaroj opinionin se komuna jonë ka qenë e anëtarësuar në Asociacionin e Komunave të Kosovës dhe nuk ka nevojë për procedura të tjera administrative. Që nga data e pranimit, Komuna jonë i ka kryer me rregull të gjitha obligimet në raport me përgjegjësitë statutore të Asociacionit.”, ka shkruar Zeqiri.
Ai ka thënë se do të vazhdojnë të sillen konform përgjegjësive që na takojnë si Komunë.
Po ashtu, Zeqiri ka folur edhe për mungesën e tij në mbledhjen e së enjtes.
“Mungesa ime në takimin e Kryetarëve të Asociacionit të Komunave të Kosovës ka qenë e paralajmëruar më parë në organet e Asociacionit.”, ka shtuar ai.
Mbledhja e Asociacionit të Komunave të Kosovës të enjten është përcjellë me tensione në mes të disa kryetarëve të komunave.
Në një video të publikuar kryetari i Komunës së Mitrovicës Veriore, Erden Atiq, ai i Kamenicës, Kadri Rrahimaj dhe Qemajl Aliu i Shtimes shihen në një tollovi bashkë me disa kryetarë të tjerë.
Lidhur me incidentin ka bërë reagim kreu i Kamenicës, Kadri Rrahmiaj, duke pretenduar se në Kuvend u tentua t’i mohohet e drejta e VV-së për të pasur anëtar Bordi në AKK dhe mosanëtarësimi i Komunave Veriore të Kosovës në AKK.
Rahimaj tha se tensionet nisën pasi Lëvizja Vetëvendosje kërkoi që komunat veriore të anëtarësohen në Asociacion, por kjo sipas tij, u refuzua nga udhëheqësit e tjerë të komunave.