×
  • Lajme
  • Lajme / Përmbledhje

    Aksionet për mbylljen e komunave paralele, mbi dhjetë objekteve iu vu dryni nga fillimi i këtij viti

    Reporteri
    16 Tetor 2024 | 21:25

    Nga fillimi i këtij viti e deri tash, Policia e Kosovës ka mbyllur mbi dhjetë komuna paralele, që funksionin ilegalisht në Kosovë. Një e tillë është mbyllur sot, e cila gjendej në afërsi të objektit të Policisë në Veri, shkruan Reporteri.net.

    Policia e Kosovës ka mbyllur sot një komunë paralele, e cila është vënë re gjatë një patrullimi që po kryenin zyrtarët policorë në afërsi të stacionit policor në veri.

    Aty policët kanë identifikuar disa persona që po frekuentonin një zyre. Me urdhër të prokurorit, zyra është mbyllur, dokumentet janë sekuestruar, derisa personat përgjegjës janë intervistuar.

    “Sot, me datën 16.10.2024, zyrtarët policorë gjatë patrullimit në afërsi të objektit të policisë në DRP-Mitrovicë Veri, kanë vërejtur persona të panjohur të cilët po frekuentonin një zyre, ku gjatë verifikimit të personit përgjegjës është identifikuar se kjo zyre vepron si pjesë e strukturave ilegale dhe është përgjegjëse për komunën e Skenderajit.

    Lidhur më këtë është kontaktuar prokurori kompetent, i cili ka urdhëruar që provat materiale që gjenden në këtë zyre të sekuestrohen dhe zyra të mbyllet, ndërsa personat përgjegjës të intervistohen. Sipas autorizimit të prokurorit, policia është duke kryer veprimet përkatëse për intervistimin e personave të identifikuar dhe ekzaminimin e provave materiale”, ka konfirmuar Policia e Kosovës.

    Komuna të tilla paralele janë mbyllur edhe në fund të muajit gusht të këtij viti, saktësisht pesë objekte. Aksioni për mbylljen e tyre ishte bërë me kërkesë të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.

    “Operacioni policor i realizuar në veri të Kosovës, ka përfunduar me ndërprerjen e aktiviteteve ilegale dhe mbylljen e pesë objekteve të komunave ilegale në veri të Kosovës, siç janë; -Qarku i Mitrovicës së Kosovës,  -Komuna ilegale e Mitrovicës,  -Komuna ilegale e Zveçanit,  -Komuna ilegale e Zubin Potokut dhe -Komuna ilegale e Leposaviqit”, kishte njoftuar Polica e Kosovës.

    Disa ditë pas aksionit për mbylljen e tyre, Ministri Elbert Krasniqi kishte thënë se ndërkombëtarët kanë qenë të informuar se do të mbyllen, duke shtuar se mbyllja e tyre nuk do të duhej të ishte lajm pas kaq viteshm, shkruan Reporteri.net.

    “Nga pikëpamja ime edhe si ministër është e papranueshme fakti që në territorin e Republikës së Kosovës, fushëveprimtarinë e tyre ta bëjnë edhe komuna paralele… Mbyllja e tyre pas 24 viteve sinqerisht nuk do të duhej të ishte temë, përkundrazi do të duhej të ishte problematikë nëse ne vazhdojmë dhe i lejojmë që ato institucione të veprojnë aty. Nuk ka hapësirë në Republikën e Kosovës për institucionet e Serbisë. Kjo duhet të jetë e qartë për të gjithë. Është obligim ligjor, kushtetues, është mandat jonë që ti mbështesim institucionet tona legjitime atje”, kishte thënë Krasniqi.

    Ambasada e ShBA’së në Kosovë kishte reaguar ashpër lidhur me aksionin për mbylljen e këtyre objekteve, duke shprehur shqetësim dhe zhgënjim. Në reagim ishte thënë se Qeveria ka instumentalizuar Policinë e Kosovës.

    “Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë ndërkombëtarë kanë kërkuar vazhdimisht nga Qeveria e Kosovës që të ketë prioritet koordinimin me bashkësinë ndërkombëtare dhe të mos ndërmarrë veprime të njëanshme për çështjet në agjendën e Dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Dështimi i Qeverisë së Kosovës për t’iu përgjigjur këtyre kërkesave reflekton një përkeqësim real dhe në rritje të partneritetit tonë. Siç e kemi theksuar më parë, veprimet e pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës i vënë në rrezik më të madh qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it, përshkallëzojnë në mënyrë të panevojshme tensionet rajonale dhe minojnë reputacionin e Kosovës si një partner i besueshëm ndërkombëtar”, thuhet në reagim.

    Në reagimin e ambasadës ishte thënë se veprimet e Qeverisë do të ndikojnë edhe në cilësinë dhe natyrën e bashkëpunimit me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe elementët vartës të saj.

    “Përderisa qeveria e Shteteve të Bashkuara është krenare që ka mbështetur themelimin dhe profesionalizimin e Policisë së Kosovës gjatë shumë viteve si pjesë e angazhimit tonë për të promovuar sigurinë dhe stabilitetin, instrumentalizimi i vazhdueshëm i Qeverisë i Policisë së Kosovës për të kryer veprime të pakoordinuara nuk është në përputhje me premtimin që të “vazhdojë konsultimin dhe koordinimin me komunitetin ndërkombëtar”. Veprimet e Qeverisë do të ndikojnë edhe në cilësinë dhe natyrën e bashkëpunimit tonë me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe elementët vartës të saj”, thuhet në reagim.

    Tri komuna të tjera paralele ishin mbyllur në shkurt të këtij viti. Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, kishte konfirmuar se kanë mbyllur tri komuna paralele serbe në Pejë, Istog dhe Klinë.

    “Koha e paligjshmërisë ka përfunduar dhe institucioni i vetëm i Serbisë brenda Republikës së Kosovës do të jetë ambasada e saj në Prishtinë”, kishte shkruar Sveçla në Facebook.

    Një aksion tjetër për mbylljen e komunave paralele ishte zhvilluar në janar të këtij viti në Dragash.

    Ministri Xhelal Sveçla kishte thënë se autoritetet kosovare kishin mbyllur katër komuna paralele serbe që po vepronin jashtëligjshëm në qarkun e Dragashit, në jug të Kosovës.

    “Institucioni i vetëm i Serbisë në Republikën e Kosovës do jetë ambasada e saj në Prishtinë”, kishte thënë  Sveçla.

    Ministri Elbert Krasniqi, kishte thënë se komunat paralele janë mbyllur në fshatin Vranisht në Dragash, të cilat kishin vepruar në një objekt të përbashkët dhe se kanë lëshuar dokumente jashtëligjshëm për qytetarët e komunave Prizren, Suharekë, Rahovec dhe Dragash.

    Ndryshe, më 2013, Kosova dhe Serbia në dialogun për normalizimin e raporteve në Bruksel, kishin arritur një marrëveshje për shuarjen e institucioneve paralele, por ende kjo marrëveshje nuk është zbatuar plotësisht.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!