×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Prokuroria sekuestron kontejnerët me mbetje të dyshuara toksike në Durrës

    Reporteri
    28 Tetor 2024 | 10:50

    Prokuroria e Durrësit ka sekuestruar kontejnerët e dyshuara me mbetje toksike menjëherë sapo janë rikthyer në Portin e Durrësit.

    Në vendimin për sekuestrim të Prokurorisë theksohet se bëhet fjalë për 102 kontejnerë, të cilët tashmë janë urdhëruar të depozitohen në një vend të sigurt dhe të monitorohen 24 orë me kamera, shkruan A2.

    “Të merren masa që sendet e sekuestruara të depozitohen në një vend të sigurt si për sa i përket sigurisë mjedisore dhe asaj fizike nëpërmjet monitorimit të kamerave 24 orë. Sendet e sekuestruara të mbahen në gjendjen që janë pa u proceduar me hapjen e tyre.

    Praktika e mbajtur për ekzekutimin të dërgohet menjëherë në Prokurorinë pranë Gjykatës së shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm Durrës.

    Në urdhrin e ekzekutimit, dy prokuroret Suela Beluli dhe Mediana Meta kanë listuar me numrat përkatës 102 kontejnerët që dyshohet se mbajnë mbetje të rrezikshme”, njofton prokuroria.

    Anija që i transporton ato është ankoruar mëngjesin e sotëm në radën e portit të Durrësit. Anija “Molive” është ankoruar rreth 1.5 milje larg portit.

    Një ditë më parë, në portin e Durrësit u mbajt një protestë e shoqërisë civile dhe opozitës kundër depozitimit të këtyre mbetjeve, të cilat sipas tyre rrezikojnë jetën e qytetarëve.

    Ngarkesa që besohet se përmban mbetje nga hiri i oxhaqeve metalurgjike, ishte nisur nga Shqipëria në korrik të këtij viti me destinacion Tajlandën e cila e refuzoi atë pas alarmit të dhënë nga organizata joqeveritare ‘Rrjeti i Aksionit të Bazelit’ me seli në Seattle, të Shteteve të Bashkuara.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!