×
  • Lajme
  • Shqipëria

    U arrestua në Dubai, i shumëkërkuari nga SPAK kërkon të mos ekstradohet në Shqipëri: 16 vetë duan të më vrasin

    Reporteri
    29 Tetor 2024 | 16:31

    I shumëkërkuari i drejtësisë shqiptare, Durim Bami, i arrestuar pak ditë më parë në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe, kërkon të mos ekstradohet, me pretendimin se në Shqipëri i rrezikohet jeta.

    Sipas mbrojtësve të tij ligjorë në Shqipëri, Bami ka pretenduar para autoriteteve arabe se janë ta paktën 16 persona në Shqipëri, brenda e jashtë burgut, që kërkojnë ta eliminojnë fizikisht.

    Ai ka listuar edhe emrat e këtyre personave, një pjesë e të cilëve janë në dosjen penale të SPAK, të disa grupeve kriminale që kanë thurur plane, apo siguruar kushte për vrasjen e tij.

    Arrestimi i Bamit në Dubai u konfirmua zyrtarisht të hënën nga Policia e Shtetit. Bami u prangos teksa ishte në shoqërinë e disa familjarëve të tij, për llogari të një urdhër-arresti të firmosur nga Gjykata e Posaçme për veprat penale të “sigurimit të kushteve për të kryer vrasje”, “grup i strukturuar kriminal”, “kultivim i narkotikëve dhe kryerja e veprave nga organizata kriminale”.

    Sipas SPAK, Bami dyshohet se ka siguruar kushte për vrasjen e ish-deputetit të PS në Lezhë, Arben Ndoka, krim që nuk ka ndodhur, si edhe sigurim kushtesh për eliminimin e Erigers Mihasit dhe Hektor Xheçukës, raporton A2.

    Në qershor të këtij viti, gati një muaj pasi u shpall në kërkim nga SPAK, Bami u arrestua në Dubai, por në pak ditë u la i lirë.

    Shqipëria nuk ka një marrëveshje ekstradimi me Emiratet e Bashkuara Arabe, por tre muaj më parë edhe në mungesë të saj, autoritetet e Dubait transferuan në Shqipëri pa dëshirën e tyre të kërkuarit Plarent Dervishaj dhe Julian Meçaj.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!