Deputeti i LVV-së, Enver Haliti, ka thënë se në zgjedhjet e ardhshme nacionale LVV-ja do të ketë sërish koalicion me Listën Guxo dhe Alternativën.
Haliti tha se ky koalicion ka gjetur një kimi, ku bashkë po arrijnë të “kryejnë punë të mira”.
“Ne prapë do të vazhdojmë me partnerët tanë të koalicionet me Listën Guxo dhe Alternativën. Gjithashtu edhe me minoritetet në mandatit e ardhshëm. Unë e di që kjo nuk i pëlqen dikujt, por ne e kemi gjetur atë kimi kështu që… mirë po shkojmë, mirë kemi bashkëpunuar, janë bërë punë të mira. Nuk ka asnjë arsye të mos vazhdohet kështu edhe për një mandat të dytë. Për punët e mira dhe projektet e mira që janë nisur besoj se na duhet edhe një mandat. Nuk besoj që na duhet ndonjë partnerë tjetër, për shkak se këto transformimet e mira që kanë ndodhur brenda këtij mandati dhe që priten të ndodhin në mandatin tjetër duhet patjetër që duhet t’i jipet edhe një herë besimi këtij koalicioni”, tha ai në Tëvë1.
Haliti, i ka quajtur boshe dhe vetëm për të krijuar zhurmë, seancat e jashtëzakonshme të thirrura nga opozita.
Haliti ka thënë se LVV-ja nuk e ka parë të arsyeshme të marrë pjesë në ato seanca përderisa siç është shprehur ‘opozita nuk i voton ligjet bazike dhe marrëveshjet ndërkombëtare’.
“Unë konsideroj që ato seanca të thirrura nga ana e pozitës janë vetëm për të krijuar zhurmë për shkak se nuk prodhojnë asgjë. Derisa e njëjta opozitë nuk voton ligjet bazike e nuk voton marrëveshjet ndërkombëtare që përfiton Kosova dhe qytetarët, pse ne të jemi në ato seanca kur thirren pa asnjë substancë vetëm që të hedhin kritika të pavenda dhe mundohen që të krijojnë kauza të rrejshme për qëllime elektorale ditore. Kështu që LVV-ja së bashku me partnerët e kanë parë si të paarsyeshme dhe të panevojshme që të jemi në ato seanca boshe derisa opozita është deklaruar që nuk do të votojë asnjë marrëveshje ndërkombëtare”, ka thënë ai.
Sipas tij, opozita ka kohë që e ka filluar një bojkot të pashpallur të votimit të marrëveshjeve ndërkombëtare vetëm për ta bllokuar mazhorancën.
“Opozita ka një kohë që ka filluar një bojkot të pashpallur të votimit të marrëveshjeve ndërkombëtare në mënyrë që ta bllokojë mazhorancën që ti kalojë ato marrëveshje ndërkombëtare dhe që ato fonde që vijnë si rezultat i atyre marrëveshjeve të shfrytëzohen nga ana e qeverisë për financimin e shumë projekteve që janë në proces”, ka shtuar ai