×
  • Lajme
  • Lajme / Projektligji për juridiksion

    Gjermania i kërkon Serbisë që t’i rishqyrtojë projektligjet për Kosovën

    Reporteri
    01 Nëntor 2024 | 13:23

    Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë, ka thënë se Projektligji i Serbisë për shpalljen e Kosovës zonë të mbrojtjes së veçantë dhe për organizimin e juridiksionit të saj në çështje penale në Kosovë, shkel detyrimet e saj të Dialogut të arritura në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

    Kjo deklaratë u dha në platformën “X”, ku MPJ gjermane i ka kërkuar Serbisë të rishqyrtojë vendimet e marra, raporton gazeta online Reporteri.net.

    “Projektligji i Serbisë për shpalljen e Kosovës zonë të mbrojtjes së veçantë dhe për juridiksionin mbi veprat penale, shkel qartë obligimet e saj nga dialogu. I kërkojmë Serbisë që ta rishqyrtojë. Të dyja shtete, Kosova dhe Serbia, duhet të zbatojnë marrëveshjen e Ohrit të vitit 2023 pa vonesë, duke përfshirë Asociacionin e komunave me shumicë serbe”, ka shkruar Ministria e Jashtme gjermane.

    Lidhur me këtë postim ka reaguar edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, i cili ka shpërndarë postimin e Zyrës së Jashtme Gjermane.

    Sipas Rohdes i cili ka shpërndarë këtë kërkesë, një veprim i tillë i Serbisë përbën shkelje të qartë të obligimeve të Dialogut.

    “Gjermania i kërkon Serbisë të rishqyrtojë projektligjin e saj që e shpall Kosovën zonë të mbrojtjes së veçantë dhe juridiksionit të veprave penale pasi kjo do të përbënte shkelje të qartë të obligimeve të Dialogut”, ka shkruar Rohde.

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e patën kritikuar ditët e fundit Serbinë për këto vendime.

    Ato thanë se Serbia ka shkelur detyrimet nga dialogu i Brukselit duke miratuar projektligjin për juridiksionin gjyqësor në Kosovës dhe projektligjin tjetër.

    /Reporteri.net/.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!