Një zyrtar policor e një doganier janë arrestuar dhe ndaluar për 48 orë në paraburgim.
Ata siç merr vesh gazeta online Reporteri.net, janë arrestuar të hënën mbrëma, pasi që një shofer kamioni i kishte denoncuar për marrje të ryshfetit.
Burime të Reporteri.net në Prokurorinë e Ferizajt, thonë se shoferi i kamionit, ishte lodhur duke u dhënë ryshfet dy zyrtarëve dhe të hënën kur kishte kaluar kufirin nga Maqedonia në Han të Elezit ua kishte lënë dy zyrtarëve 100 denarë.
Dy zyrtarët kishin marrë vesh se janë denoncuar nga shoferi i kamionit dhe më pas kishin shkuar për t’i fshehur të gjitha paratë që i kishin marrë si ryshfet.
Njëri i kishte hedhur në tualet, kurse tjetri kishte tentuar t’i fshehë në një shkurre.
Paratë janë gjetur nga Policia. Ndalimin e tyre e ka konfirmuar Prokuroria Themelore në Ferizaj.
“Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, njofton opinionin publik se me vendim të Prokurorit të Shtetit, ka ndaluar në kohëzgjatje prej 48-orësh, dy (2) persona të dyshuar, një (1) zyrtar policor dhe një zyrtar doganor, në pikën kufitare Hani i Elezit, për shkak të dyshimit se të njëjtit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit” nga neni 421 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.”, thuhet në komunikatën e Policisë.
Rrokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se ndaj të dyshuarve të lartëcekur do të vazhdojë me procedura të mëtejme hetimore./Reporteri.net/