Shqetësimit të SHBA-së, BE-së e Gjermanisë për moscertifikimin e Listës Srpska nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për zgjedhjet e 9 shkurtit i është bashkuar edhe ambasada italiane në Kosovë.
Në një reagim në X, ambasada e Italisë thotë se KQZ është institucioni jetik që është përgjegjës për mbrojtjen e të drejtave politike të qytetarëve të Kosovës.
“Shprehim shqetësimin për vendimin e KQZ-së për të mos certifikuar kandidatët e Listës Srpska për zgjedhjet e ardhshme. Besojmë se sundimi i ligjit do ta udhëheqë këtë institucion jetik, i cili është përgjegjës për të mbrojtur të drejtat politike të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagimin e ambasadës italiane në platformën “X”.
We express concern over the CEC's decision not to certify the candidates of the Serbian List for the upcoming elections. We trust that the rule of law will guide this vital institution, which is responsible to uphold the political rights of all citizens of the Republic of Kosovo. pic.twitter.com/L9ffjFWv7C
— Italy in Kosovo (@ItalyinKosovo) December 24, 2024
Për moscertifikimin e Listës Serbe, SHBA-ja u shpreh thellësisht e shqetësuar me këtë vendim.
Një zëdhënës i Ambasadës Amerikane ka thënë për Gazetën Online Reporteri.net se ky veprim i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve mund të dëmtojë zgjedhjet e lira.
“Jemi thellësisht të shqetësuar me veprimet e disa anëtarëve të Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) për të mos certifikuar kandidatët e Listës Srpska. Veprimet e KQZ-së rreptësisht duhet të kufizohen në zbatimin e standaredeve dhe procedurave ligjore dhe çdo vendim për moskualifikimin e kandidatëve duhet të bazohet vetëm në zbatim të barabartë të ligjit. Procesi zgjedhor duhet të jetë transparent, i besueshëm dhe pa ndërhyrje politike”, ka thënë ai për Reporteri.net.
Në anën tjetër, ambasadori gjerman, Jorn Rohde ka thënë se procesi i certifikimit është procedurë formale strikte që nuk duhet të politizohet.
“Ndaj të njëjtat shqetësime me BE’në dhe SHBA’në lidhur me moscertifikimin e Listës Serbe. Zbatimi i barabartë i ligjit për të gjithë është esencial. Procesi i certifikimit është procedurë formale strikte që nuk duhet të politizohet”, ka shkruar Rohde në llogarinë e tij në platformën “X”.
Lista Serbe është ankuar sot në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e certifikoi për pjesëmarrje në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Nga PZAP kanë konfirmuar se kanë ka pranuar ankesën dhe do të vendosë brenda 48 orëve, sipas afatit ligjor.
Nga Lista Serbe, sot në një konferencë për media kanë konfirmuar se do të paraqesin ankesë, duke e cilësuar këtë vendim si të kundërligjshëm
“Besojmë se kjo është bërë me urdhër të Albin Kurtit për të penguar pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje. Ky vendim nuk ka bazë ligjore dhe është dëshmi se sa shumë dëshiron Kurti të eliminojë serbët nga këto treva. Kurti nuk dëshiron të shohë anëtarë të Listës Serbe në Kuvend, por dëshiron të shohë në të serbë të bindur si Nenad Rashiq”, ka thënë në konferencën për media Zlatan Elek, kryetar i Listës Serbe.
/Reporteri.net/
Lista Serbe ankohet në PZAP pasi nuk u certifikua nga KQZ, brenda 48 orëve pritet vendimi