Periudha 120 ditore për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës ka përfunduar mbrëmë.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi ka thënë për gazetën online Reporteri.net se 90 mijë e 860 qytetarë të Kosovës që jetojnë jashtë vendit janë regjistruar për të votuar për zgjedhjet nacionale që mbahen më 9 shkurt 2025.
Elezi ka thënë se janë në shqyrtim edhe 18 mijë e 244 aplikime. Shqyrtimi i këtyre aplikimeve do të vazhdojë edhe sot sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi,
“Shqyrtimi i aplikimeve të pranuara do të vazhdojë edhe gjatë ditës së premte dhe do të bëjmë përpjekje që në një kohë sa më të shpejtë të kemi një raport përfundimtar për numrin e shtetasve të regjistruar për të votuar nga jashtë Kosovës, të ndarë sipas mënyrës së votimit dhe sipas shteteve”, ka thënë Elezi.
Zgjedhjet parlamentare do të mbahen më 9 shkurt dhe kjo do të jetë hera e parë që do të ketë zgjedhje të rregullta parlamentare që nga shpallja e pavarësisë më 2008. /Reporteri.net/