Kryeministri Albin Kurti, në edicionin e 7-të të Konferencës së Ambasadorëve, ka deklaruar se Serbia me mbështetje të hapur nga Rusia, ka ngritur një rrjet narrativash që synojnë të dëmtojnë Kosovën dhe të pengojnë përparimin e saj drejt integrimeve evropiane dhe euroatlantike.
Ai u bëri thirrje ambasadorëve që të reagojnë për secilën gënjeshtër që shpërndan Serbia.
“Përballë sulmeve sistematike, hibride, kinetike, terroriste të Serbisë, ajo vazhdimisht përdor propagandën dhe dezinformatën si armë të politikës së saj të jashtme, dhe pikërisht për këtë arsye puna juaj merr vlerë dhe peshë të shtuar. Me mbështetje të hapur nga Rusia, ajo ka ngritur një rrjet narrativash të rreme, që synojnë të dëmtojnë shtetin tonë dhe të pengojnë përparimin tonë drejt integrimeve evropiane dhe euroatlantike. Ju duhet të veproni me vendosmëri dhe qartësi që të jeni të shpejt në reagime. Për secilën gënjeshtër që shpërndan Serbia apo elementet e saj, ne duhet të kemi të gatshme të vërtetën tonë”, ka deklaruar Kurti.
Ai nënvizoi se përhapja e së vërtetës duhet të jetë një proces i shpejtë dhe i organizuar. Ai theksoi se e vërteta është gjithmonë në favorin e Kosovës, por ajo duhet të prezantohet në kohën e duhur dhe në formatin e duhur.
“Çdo ngjarje, çdo reformë dhe çdo hap përpara që bëjmë duhet të bëhet i njohur menjëherë, sepse nuk mund të presim që e vërteta të dalë vetvetiu, spontanisht. Ju duhet të kujdeseni që ajo të dëgjohet dhe të mbërrijë aty ku duhet”, shtoi ai.
Kurti tha se Kosova është një shtet ende i ri për shumicën e vendeve ku shërbejnë ambasadorët, e që po ndërton e formëson pozitën e saj në skenën ndërkombëtare.
“Avancimi i pozitës tonë, varet nga përkushtimi i secilës dhe secilit prej nesh, puna juaj prandaj nuk është thjesht përfaqësim, por angazhim në fuqizimin e pozitës sonë. Promovimi i interesave ekonimike, të sigurisë dhe politikës së jashtme janë detyra juaj parësore, kurse demokracia, sundimi i ligjit, liria e shprehjes dhe të drejtat e njeriut janë parimet dhe të drejtat themelore që duhet të shërbejnë si udhërrëfyes për punën tuaj dhe të gjithë neve”, tha Kurti.