×
  • Lajme
  • Lajme / Aksioni

    Prokuroria e Prishtinës: Aksioni i sotëm për bastisjen e zyreve paralele nuk u autorizua nga ne

    Reporteri
    15 Janar 2025 | 14:01

    Prokuroria Themelore e Prishtinës ka thënë se nuk ka lëshuar autorizim për bastisjet dhe kontrollet që u kryen sot nga Policia e Kosovës në dhjetë komuna të vendit, për mbylljen e komunave paralele të Serbisë në Lipjan, Obiliq, Prishtinë, Fushë Kosovë, Vushtrri, Novobërdë, Kamenicë, Viti, Rahovec, Skënderaj, si dhe posta e zyre tatimore ilegale.

    Në reagimin e Prokurorisë thuhet se prokurori i shtetit nuk ka autorizuar kryerjen e kontrollit apo bastisjes në këto lokacione, për shkak se nuk ka pasur ndonjë kërkesë zyrtare me shkrim për kryerjen e këtij aksioni nga ana e institucioneve gjegjëse dhe se s’është ofruar kurfarë prove së është duke u kryer ndonjë vepër penale, shkruan Reporteri.net.

    “Prokurori i shtetit duke pasur parasysh faktin që me këtë rast nuk janë përfillur procedurat e nevojshme të përcaktuara decidivisht në Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, nuk ka mundur që në rastin konkret të lëshohet çfarëdo autorizimi. Prokurori i shtetit është i gatshëm dhe i përkushtuar në ndjekjen e veprave penale dhe kryerësve të tyre, gjithmonë duke u bazuar në legjislacionin në fuqi, si dhe duke u bazuar në parimin e barazisë dhe mos diskriminimit të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagim.

    Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka konfirmuar sot se në këtë aksion janë mbyllur komunat paralele të Serbisë në Lipjan, Obiliq, Prishtinë, Fushë Kosovë, Vushtrri, Novobërdë, Kamenicë, Viti, Rahovec, Skënderaj, si dhe posta e zyre tatimore ilegale.

    “Me aksion të përbashkët mes MPB e PK si dhe MINT e MAPL, përfundon epoka e komunave dhe institucioneve paralele e kriminale të Serbisë në Republikën e Kosovës.
    Sot janë mbyllur Komunat paralele të Serbisë në Lipjan, Obiliq, Prishtinë, Fushë Kosovë, Vushtrri, Novobërdë, Kamenicë, Viti, Rahovec, Skënderaj si dhe posta e zyre tatimore ilegale.
    Siç edhe jemi zotuar, nuk lejojmë asnjë paralelizëm e aq më tepër kriminal të Serbisë që të cënojë Kushtetutën e ligjshmërinë në vendin zonë”, ka shkruar Sveçla.

    Aksioni i Policisë së Kosovës, mbyllen institucionet paralele serbe në dhjetë komuna

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!