Shefja e Asambleistëve të LDK’së në Prishtinë, njëherit kandidate për deputete nga kjo parti, Jeta Rafuna, ka treguar se për çka do të angazhohet nëse fiton një ulëse në Kuvendin e Kosovës.
Në një intervistë për emisionin “Spotlight”, prodhim i Gazetës Online Reporteri.net, Rafuna tha se fokus kryesor do t’i ketë komunat. Poashtu tha se do të ndihmojë me projektet për kryeqytetin.
“Një rol kyç do ta kem të ndihmojë komunat e Kosovës, përveç Prishtinës, edhe komunat tjera, të rrisim efikasitetin dhe t’u japim sa më shumë të drejta komunave të Kosovës. Ky do të jetë fokusi kryesor. Do të ndihmoj projektet e Prishtinës sepse kryeqyteti jonë është kryeqyteti më i mirë në botë edhe kam qejf me pa më së miri”, ka deklaruar Rafuna.
Nisur edhe nga përvoja e saj si karatiste, Rafuna ka thënë se prioritet do ta ketë edhe sektorin e sportit.
“Unë kam qenë karatiste. Kam ushtru një kohë të gjatë edhe mendoj që duke ndihmu sportin, e ndihmojmë shëndetin mendor të të rinjve edhe që sa më shumë të rinj t’i fokusojmë tek sporti edhe t’i largojmë pak a shumë prej rrjeteve sociale”, ka deklaruar Rafuna./Reporteri.net