Nënkryetarja e LDK’së, njëherit kandidate për deputete, Doarsa Kica-Xhelili, ka reaguar pas një bisede që u publikua mbrëmë mes Petrit Selimit dhe gazetarit Berat Buzhala, ku diskutohej për formimin e qeverisë e përmendeshin disa emra.
Kica-Xhelili tha se PDK bën qeveri imagjinare në WhatsApp, e Lëvizja Vetëvendosje e merr seriozisht, “sepse është mësuar të qeverisë nga WhatsAppi”, duke aluduar për bisedat që u publikuan disa ditë para zgjedhjeve mes zyrtarëve të VV’së.
Ajo ka thënë se LDK ka zot shtëpie dhe se i është kthyer elektoratit dhe se i bindet dhe nënshtrohet vetëm atij.
“Ky elektorat na kërkon të vazhdojmë kështu si tash. Të punojmë të pavarur, fort, e drejtë – deri në fitoren e madhe! Dritë do të ketë një ditë në Kosovë! Të tjerëve – punë të mbarë në negociata tavolinash”, ka shkruar ajo.