×
  • Lajme
  • Lajme / Komunikata

    “Ka krijuar situatë alarmante për shëndetin publik”, Komuna e Prishtinës paralajmëron masa të ashpra ndaj kompanisë “Pastrimi”

    Reporteri
    13 Shkurt 2025 | 10:46
    Pamje nga një cep i Prishtinës

    Dhjetë ditë pas shpalljes së gjendjes emergjente në kryeqytet, gjendja është përkeqësuar ndjeshëm, duke lënë qytetarët të përballen me një situatë kaotike dhe të rrezikshme, thotë Komuna e Prishtinës.

    Komuna në një komunikatë për media thotë se pavarësisht përpjekjeve të tyre për të ndihmuar kompaninë “Pastrimi” të menaxhojë mbeturinat, kjo kompani ka dështuar në mënyrë dramatike, duke prodhuar sabotazhe të paarsyeshme dhe lojëra politike që kanë penguar çdo mundësi për përmirësim të gjendjes në terren.

    “Kompania ka dështuar të shpërndajë kontejnerët e rinj për mbeturina që u janë dorëzuar dhe gjithashtu ka lënë jashtë funksionit kamionët e rinj që u janë dorëzuar, duke krijuar një terren të rrezikshëm që mund të çojë në shpërthim epidemish”.

    “Ky dështim i përmasave të mëdha ka krijuar një situatë alarmante për shëndetin publik, ku qytetarët e Prishtinës janë të rrezikuar për shkak të menaxhimit të dobët të mbeturinave. Pas një inspektimi të detajuar nga Drejtoria për Shëndetësi, Siguri dhe Emergjenca, dhe Inspekcioni, kemi dalë me raporte konkrete që dokumentojnë rrezikun e drejtpërdrejtë për shëndetin e qytetarëve”, thuhet në komunikatë.

    Komuna ka paralajmëruar se do të ndërmarrin masa të ashpra ndaj kompanisë “Pastrimi” për shkak, siç thonë, “dështimit të tyre të pafalshëm dhe sabotimit të qëllimshëm”.

    “Në këtë moment kritik, si kryeqytet, paralajmërojmë se do të ndërmarrim masa të menjëhershme dhe të ashpra ndaj kompanisë “Pastrimi” për shkak të dështimit të tyre të pafalshëm dhe sabotimit të qëllimshëm që ka vënë në rrezik shëndetin e qytetarëve dhe ka lënë Kryeqytetin të përballet me një krizë shëndetësore që mund të ketë pasoja të rënda”, thuhet në komunikatë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!