Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka bërë të ditur se Mynih të Gjermanisë ku merr pjesë në Forumin e Sigurisë është takuar me përfaqësuesin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, takimi ky i parë mes tyre që nga marrja e detyrës së diplomatit danez.
Osmani ka thënë se me Sorensenin diskutuan mbi zhvillimet e fundit në vend dhe pritëshmëritë nga dialogu i Brukselit, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Presidentja ka siguruar se Kosova do të vazhdojë të punojë me aleatët që procesi i dialogut të përmbyllet me njohje të ndërsjellë dhe mbrojtjen e sovranitetit, kushtetutshmërisë dhe integritetit territorial të Republikës.
“Në takimin tim të parë me Përfaqësuesin e ri të BE-së për Dialog, Peter Sørensen, diskutuam mbi zhvillimet e fundit në vend dhe pritshmëritë nga dialogu i Brukselit.
Do të vazhdojmë të punojmë me aleatët tanë që ky proces të përmbyllet me njohje të ndërsjellë dhe mbrojtjen e sovranitetit, kushtetutshmërisë dhe integritetit territorial të Republikës sonë”, shkroi Osmani.
Diplomati nga Danimarka, Peter Sorensen mori detyrën në fillim të këtij muaji. Danezi do të ketë një mandat fillestar prej 13 muajsh.
Por, për dallim nga Lajçak, Sorensen është i ngarkuar nga Bashkimi Europian vetëm për dialogun pa çështjet e tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, si dhe fokusi i tij primar do të jetë zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit./Reporteri.net/