Rasti i dhunimit të një vajze 11-vjeçare kishte tronditur opinionin kur u bë publik në muajin gusht të vitit 2022. Dyshohet se e njëjta tash 14 vjeçare, është përdhunuar sërish nga një grup tjetër burrash.
Gazetarja e RTK-së, Kaltrina Rexhepi Dragusha ka thënë se vajza atëherë 11 vjeçare që u përdhunua para dy viteve, është abuzuar përsëri.
Ajo ka thënë se kjo ngjarje paraqet dështim të institucioneve.
“Viktima më e njohur e dhunimit, 11-vjeçarja, është abuzuar përsëri, ndërsa asnjë institucion shtetëror, përfshirë menaxherët e rastit, nuk ka mbajtur përgjegjësi për rastet e mëparshme.🤯🤯🤯
Për herë të tretë, ajo u dhunua brenda Strehimores së Rrezikshmërisë së Lartë – një institucion që supozohej ta mbronte – por asnjë masë nuk u mor ndaj përgjegjësve. Për herë të katërt, dhunimi ndodhi pasi ajo u lirua dhe u kthye në familjen e saj – të njëjtën familje që dy herë nuk kishte arritur ta mbrojë. Autoritetet i siguruan një banesë, por kjo nuk mjaftoi për të garantuar sigurinë e saj.
Që nga hera e dytë e dhunimit të saj, përgjegjësia bie mbi institucionet, të cilat nuk ditën ta vlerësojnë rrezikun, nuk ditën si t’i qasen viktimës, nuk ditën ta riintegrojnë dhe nuk ditën ta mbrojnë një fëmijë.”, ka shkruar ajo.
Gazetarja Rexhepi-Dragusha ka thënë se kjo ngjarje nuk është thjesht një dështim institucional në menaxhimin e një rasti dhune – është një tragjedi.
“Ajo tregon se viktimat që konsiderohen “të komplikuara” nuk marrin mbrojtjen e duhur, sepse sistemi nuk di, ose nuk dëshiron, t’i trajtojë me përgjegjësi dhe dinjitet. Mbetet për t’u parë sesi institucionet do të përpiqen të mbulojnë këtë rast, ndërkohë që askush ende nuk ka mbajtur përgjegjësi.”, ka shkruar ajo.
Kujtojmë se gjashtë të akuzuar për përdhunimin e vajzës atëherë e 11-vjeçare në Prishtinë, verën e vitit 2022, janë dënuar me 62 vjet burgim.
11 vjeçarja dyshohet se u dhunua për herë të tretë, tani në strehimore