Shefi i Shtabit Zgjedhor të LDK-së, Lutfi Haziri, ka treguar për Klan Kosovën se prej nga është inspiruar që kandidatit për kryeministër nga Vetëvendosja Albin Kurtit t’ia vë epitetin “Mr. Bean”.
“Mr. Beani po vazhdon të sillet njëjtë – po ndërton kauza dhe po tërhiqet nga kauzat e veta. Me karakterin e seriozitetit të tij po i përngjan vërtetë asaj që quhet British Jokes”, ka thënë Haziri.
“Pak a shumë unë e kam bërë si sinonim, por lidhet me tërheqjen nga çdo kauzë që e ka filluar. Nuk ka besuar në shpalljen e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt, ka qenë i vetmi që ka thënë të shtunën që nuk do të ndodhë e diela – ka ndodhë Pavarësia e Kosovës. Ka vazhduar më pas që mos ta njohë shtetin e Kosovës, tash po e njeh në mënyrë indirekte duke mos i njohur simbolet – deri te reprezantacioni i Kosovës”, ka thënë Haziri.
Madje, Haziri ka deklaruar se kandidati i Vetëvendosjes për kryeministër Albin Kurti po manipulon me qytetarët e Kosovës.
“Ai është i gatshëm që të bashkëpunojë me çdo kënd në Kosovë vetëm që të bëhet kryeministër. Unë besoj dhe e them që ai po manipulon me qytetarët e Kosovës. Ju paguan bileta të autobusit njerëzve nga diaspora derisa ata 6 milionë euro i dërgojnë çdo vit në Kosovë. Ju ofron shqiptarëve të Maqedonisë autobusa falas që të vijnë që të votojnë Kosovë sepse nuk po gjen vota në Kosovë. Ndërtimi i një kauze dhe tërheqja nga ajo kauzë në emër të luftimit të krimit dhe korrupsionit dhe në anën tjetër flirtimi politik me ata që vërtetë kanë problem me po ato dukuri është fakt që i atribuohet atij”, ka thënë Haziri.