Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi në një reagim pas vrasjeve të fundit në vend, ka kërkuar që institucionet e vendit të veprojnë me urgjencë, për të parandaluar këto krime.
Krasniqi ka thënë se duhet të ketë kontroll më të rreptë të armëve, forcim të rendit dhe drejtësi pakompormis.
“Nuk mund ta normalizojmë këtë gjendje – nuk guxojmë. Nuk mund të heshtim. Shteti duhet të zgjohet. Institucionet duhet të veprojnë me urgjencë. Kontroll më i rreptë i armëve, forcim i rendit dhe drejtësi e pakompromis – këto nuk janë thjesht politika, por çështje jete dhe vdekjeje”, ka shkruar ai në rrjetin social ‘Facebook’.
Sipas tij, pasiguria ka kapluar Kosovën.
“Një ndjenjë frike dhe pasigurie ka zënë rrënjë në shoqëri, duke e bërë jetën e qytetarëve të rënduar nga ankthi dhe droja për të nesërmen. Askush nuk duhet të jetojë me frikën se një armë e jashtëligjshme mund t’i marrë jetën në çdo moment, në rrugë, në shtëpi apo në vendin e punës”, shkruan ai.
Krasniqi po ashtu ka thënë se në legjislaturën e re, PDK do të iniciojë ndryshimin e Kodit Penal dhe legjislacionit përkatës për të ashpërsuar dënimet për armëmbajtjen pa leje
“Partia Demokratike e Kosovës, në legjislaturën e re, pas konsolidimit të institucioneve dhe qeverisë së re, do të iniciojë ndryshimin e Kodit Penal dhe legjislacionit përkatës për të ashpërsuar dënimet për armëmbajtjen pa leje. Kushdo që posedon apo përdor armë ilegalisht, duhet të përballet me burg, pa përjashtim. Kosova nuk mund të jetë një vend ku jeta njerëzore humb vlerën.
Është koha të kthjellemi. Është koha të zgjedhim jetën. Ngushëllimet më të thella familjeve të viktimave”, shkruan ai.
Katër persona kanë mbetur të vrarë me armë zjarri në Kosovë në tri ditët e fundit. Dy raste ndodhën në Vushtrri dhe një në kryeqytet./Reporteri.net/