Kreu i ARK-së, Behgjet Pacolli ka bërë të ditur se Republika e Kenias ka njohur shtetin e Kosovës, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Pacolli ka shkruar se një nga shtetet më të rëndësishme të Afrikës tashmë ka njohur zyrtarisht Kosovën.
“Sot, Kosova shkruan histori! 17 vjet pas Pavarësisë, në një ceremoni të jashtëzakonshme e të paharrueshme, Republika e Kenias – një nga shtetet më të rëndësishme të Afrikës – e njohu zyrtarisht Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran!
Kjo njohje nuk është thjesht një deklaratë – është një fitore e madhe për shtetin e Kosovës, është zëri i lirisë sonë që dëgjohet thellë në zemrën e Afrikës! Sot, flamuri ynë i shtetit ngrihet lart me krenari në Nairobi, dhe kjo është një dëshmi se Kosova ecën përpara, fuqishëm dhe me dinjitet kur punohet dhe ka vullnet për të”, shkruan Pacolli në Facebook.
Tutje ai ka thënë se kjo fitore për Kosovën është si rezultat i një pune të gjatë e përkushtim e sakrificë, dhe se siç ka thënë ai që nga vitit 2009 ka punuar për këtë njohje.
Ai gjithashtu ka përmendur se në vitin 2019 presidenitian kenian kishte vizituar Kosovën dhe kishte dhënë fjalën për njohjen e pavarësisë qysh në vitin 2016.
“Kjo fitore nuk erdhi rastësisht. Ajo është fryt i një pune të gjatë, të palodhur, me përkushtim e sakrificë. Që nga viti 2009, unë personalisht kam lobuar dhe kam biseduar me autoritetet keniane për ta bërë këtë ditë realitet. Kam shkuar derë më derë, zyrë më zyrë, me vetëm një qëllim – të bëj të njohur zërin dhe të drejtën e popullit të Kosovës për liri, pavarësi dhe sovranitet”, shkruan mes tjerash Pacolli në Facebook.
“Ai e vizitoi Kosovën në vitin 2019 dhe e ndjeu fuqinë dhe vendosmërinë e popullit tonë. Në vitin 2023, gjatë vizitës time në Nairobi, ai e bëri hapin e parë duke njohur pasaportat tona. Sot, në një ceremoni madhështore, ai e tha me zë të lartë: Kosova është shtet i njohur nga Kenia! Kjo është diplomaci me rezultat. Kjo është Kosova që e respektojnë! Kjo është fitorja e dinjitetit tonë kombëtar në arenën ndërkombëtare”.
Kryetari i AKR-së i ka bërë thirrje qeverisë së Kosovës që menjëherë të vendos marrëdhënie diplomatike me Kenian dhe të hap edhe ambasadë të përbashkët me Shqipërinë në Nairobi.
“I bëj thirrje Qeverisë së Kosovës që menjëherë të vendosë marrëdhënie diplomatike me Kenian dhe të hapë një Ambasadë të përbashkët me Repbulikën e Shqipërisë në Nairobi. Kosova duhet të jetë prezente aty ku respektohet dhe mbështetet – në zemrën e Afrikës! Kjo ambasadë do të jetë porta e Kosovës për të hyrë fuqishëm në kontinentin afrikan, për të ndërtuar aleanca të reja politike, ekonomike dhe kulturore”, shkruan Pacolli.