×
  • Lajme
  • Lajme / Energji

    “Do të shkaktonte valë të re inflacioni”, “Të mos preken amvisëritë me më pak se 800 kWh”, si reaguan Presidenca e Qeveria për shtrenjtimin e rrymës

    Reporteri
    29 Mars 2025 | 9:50

    Një valë reagimesh ka shkaktuar paralajmërimi për rritjen prej 15% të energjisë elektrike nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE).

    Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) ka thënëse ende nuk është marrë asnjë vendim për rritjen e tarifave të energjisë dhe se ka vendosur të ndajë për konsultim publik Raportin Konsultativ për të Hyrat e Lejuara Maksimale, ndërsa kishte mundësuar që palët e interesuara të dërgojnë komente deri më datën 28 mars.

    Edhe institucionet kryesore të vendit janë deklaruar së fundmi rreth rritjes apo jo të çmimit të rrymës.

    Ndërsa, Presiedenca e Kosovës ka dalë kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike, Qeveria e Kosovës në anën tjetër ka thënë se është e drejtë që të mos preken amvisëritë që konsumojnë më pak se 800 kWh, shkruan Reporteri.net.

    Presidenca përmes një njoftimi thotë se ka analizuar raportet konsultative për përshtatjen e të Hyrave Maksimale të Lejuara të operatorëve energjetikë dhe tashmë ka dorëzuar komentet e saj tek ZRrE.

    “Në vazhdë të një rritjeje potenciale, rikujtojmë se rritja e tarifave nuk mund të bëhet si një proces i izoluar, por duhet të marrë parasysh kontekstin zhvillimor dhe aspektin e mirëqenies në vend. Kjo kërkon një analizë të mirëfilltë të rrethanave duke u fokusuar poashtu në mbrojtjen e konsumatorëve dhe situatën ekonomike aktuale. Në këtë moment, një vendim i mundshëm nga Rregullatori për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët do të ishte në kundërshtim edhe me kornizën ligjore, e cila obligon ZRrE-në që ta sigurojë mbrojtjen e konsumatorit (Neni 1, Ligji për Rregullatorin e Energjisë)”, thuhet në njoftim.

    Kurse, Ministria e Ekonomisë dhe Qeveria e Kosovës thonë se kanë analizuar raportet e ZRrE-së dhe kanë dorëzuar komentet e tyre në konsultimin publik, duke u fokusuar në zvogëlimin e rritjes së tarifave dhe shpërndarjen më të drejtë të barrës tek konsumatorët.

    Në propozimin e saj, Ministria e Ekonomisë ka kërkuar që rritja e çmimeve të mos prekë amvisëritë që konsumojnë më pak se 800 kWh dhe të krijohen më shumë blloqe tarifore për konsumatorët me shpenzim të lartë të energjisë elektrike.

    “Komentet dhe sugjerimet tona drejtuar ZRrE-së në konsultim publik përqendrohen kryesisht në dy drejtime: mënyrat se si mund të ulet niveli i propozuar i rritjes; dhe shpërndarja e barrës së rritjes brenda grupeve të konsumatorëve. Në këtë drejtim, konsiderojmë se është e drejtë që rritja të mos prekë amvisëritë që konsumojnë më pak se 800 kWh dhe të shtohet numri i brezeve (blloqeve) të konsumit për konsumin mbi 800 kWh.”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Ekonomisë.

    Propozimin për rritjen e çmimit të rrymës për 15% e kanë kundërshtuar edhe partitë opozitare, duke e quajtur absurd dhe gjendje që sipas tyre nuk guxon të tolerohet.

    Reagon Lidhja e Bizneseve: Propozimi për rritjen e rrymës i dëmshëm

    Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK), si përfaqësuese e komunitetit të biznesit vendor, ka kundërshtuar shtrenjtimin e rrymës pas paralajmërimit të fundit të Zyrës së Rregullatorit për Energji për rritjen e tarifave të energjisë elektrike në nivel prej 15%.

    “Ky propozim është i papranueshëm dhe ekonomikisht i dëmshëm, duke marrë parasysh gjendjen e rënduar ekonomike të vendit dhe ndikimin që do të ketë mbi bizneset, prodhimin vendor dhe mirëqenien e qytetarëve”.

    LBK kërkon me ngulm nga ZRrE që të tërheqë menjëherë këtë propozim për rritje të tarifave, të zhvillojë konsultime të hapura dhe gjithëpërfshirëse me komunitetin e biznesit dhe palët e interesuara për të identifikuar zgjidhje që nuk dëmtojnë ekonominë vendore, si dhe të ketë parasysh ndikimin ekonomik dhe social që ky vendim do të ketë mbi sektorin privat, konsumatorët dhe ekonominë e përgjithshme të vendit.

    Kujtojmë se shumë qytetarë janë mbledhur në grupin e quajtur “AsnjëCentMëShumë”, ku edhe janë duke u mobilizuar për një protestë me datë pesë prill, pikërisht për të shprehur pakënaqësitë e tyre rreth shtrenjtimit të energjisë elektrike. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!