Për serinë e publikimeve të gazetës online Reporteri.net, të mesazheve në “Viber” të anëtareve të kryesisë së LDK-së, për dyshimet mbi manipulimin e votave nga diaspora sonte ka reaguar nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, duke thënë se pavarësisht krizave, LDK ruan rolin e saj si forcë stabilizuese në skenën politike.
Haziri tha se pavarësisht se partia ka kaluar nëpër sfida të shumta në pozita të ndryshme, LDK ka mbajtur vazhdimisht peshën e vet politike dhe ka ruajtur standardet e përfaqësimit demokratik.
“Na ka përcjellë fati tash e disa vite, edhe si parti e parë kemi pasë raport tjetër, edhe forma tjetër, edhe le të themi, presion tjetër… përkundër numrit të ulëseve që i kemi, LDK-ja vazhdon me e rujtë rolin e vet, formatin e vet të përfaqësimit edhe si gardian i demokracisë, ndoshta edhe si çelës për me shkaktu edhe me mbyllë procesin,” tha Haziri në emisionin CONTEXT në ATV.
Ai komentoi edhe mbi vonesat në veprime politike pas zgjedhjeve, duke kritikuar pritjet për certifikime, ndërkohë që sipas tij, duhet të kishte pasur iniciativë dhe vendimmarrje më të shpejtë.
“Praktikisht ne e kemi harxhu kohën në vonesë, në emër të pritjes. Pritja për çka? Për certifikim të rezultateve? Janë mekanizma ligjorë, janë mekanizmat e shtetit. Kjo nuk të ndal në iniciativë politike. Ne nuk kemi qenë si LDK në këtë fazë, por kemi mirëmbajtë raportet me të gjitha partitë politike që janë në Parlament,” deklaroi Haziri.
Gazeta online Reporteri.net ka publikuar së fundmi një seri shkrimesh me mesazhet e anëtarëve të kryesisë së LDK-së, ku insistohej nga disa prej anëtarëve të Kryesisë për orkestrimin e një “skeme të organizuar kriminale” brenda partisë që drejtohet nga Lumir Abdixhiku.