Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se Prokuroria Themelore në Prishtinës është duke i hetuar pretendimet për manipulimin e votave me postë të diasporës.
“Siç e dini për këtë çështje tashmë Prokuroria Themelore në Prishtinë është duke bërë hetime. Prokuroria sipas informacioneve që ne i kemi, që kanë qenë publike ka kërkuar edhe nga KQZ dokumentacione përkatëse në raport me procesin e votimit të mërgatës sonë. Prandaj meqë është në duart e prokurorisë është e rëndësishme që çfarëdo pyetje që keni ta adresoni te Prokuroria,”, tha Haxhiu, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Ajo po ashtu tha kushdo që është i përfshirë në këtë krim, duhet të japë përgjegjësi penale por edhe politike.
“Unë vlerësoj që secili person që është i përfshirë në këtë krim, pra me votat e mërgatës duhet të jap përgjegjësi penale por edhe politike. Por, kush janë emrat e përveçëm, natyrisht se kjo është përgjegjësi e institucioneve të drejtësisë.”, tha Haxhiu.
Këtë përgjigje Haxhiu e dha kur u pyet nga gazetarët, se nëse i kanë ulur standardet kur i dërguan ftesë kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku për takim.
“Sa i përket asaj që keni qenë më e zëshmja ose e kundërta e saj unë nuk e di se si po i masni se cili prej anëtarëve të VV është më i zëshëm. Qëndrimet tona janë qëndrime të subjektit politik, që subjekti politik vlerëson se kush i adreson çështjet. Në këtë drejtim asnjë prej çështjeve që ne i kemi thënë kundrejt një subjekti politik nuk jemi tërhequr nga asnjëra prej atyre çështjeve. Nuk po flas këtu as për fyerje, ofendime asnjë çështje tjetër por po flas për qëndrime publike, politike që I kemi pasur ndaj subjekteve të tjera politike.”, shtoi tutje Haxhiu.