×
  • Lajme
  • Lajme / Formimi i institucioneve

    Nënkryetari i LDK-së thotë se presin kërkim falje nga Kurti për fjalën “hajvan”, për ta rishqyrtuar vendimin për konsultim

    Reporteri
    10 Prill 2025 | 7:47

    Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Anton Quni, ka folur mbrëmë për refuzimin e ftesës së kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit për takime konsultative lidhur me formimin e qeverisë së re.

    Debat Plus, Quni ka theksuar se LDK nuk mund të përgjigjet pozitivisht ndaj një ftese formale, pa u adresuar më parë ofendimet e shumta që, sipas tij, Kurti ka bërë ndaj partisë dhe figurave të saj.

    “Nëse në një moment deliriumi, mbi dozimit me adrenalinë, fitore e të tjera, thotë diçka për të cilën nuk e ka menduar mirë… le të kërkojë falje – shumë burrërore do të ishte. Ai e ka fyer një pjesë, themi shumicën e kombit”, ka deklaruar Quni.

    Quni ka kujtuar gjithashtu deklaratat e mëparshme të Kurtit, ku ai i kishte quajtur përfaqësuesit e LDK-së si bashkëpunëtorë të Serbisë, sabotues, madje edhe bashkëpunëtorë të Radoiçiqit dhe Listës Serbe.

    “Ai duhet të rrëfehet mirë, të reflektojë, të kërkojë falje dhe të betohet për të ardhmen e Kosovës me forca të përbashkëta. Kur t’i kryejë këto, natyrisht që do ta rishqyrtojmë vendimin tonë,” ka theksuar ai.

    Kujtojmë se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka refuzuar takimin e ftuar nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, për konsultime rreth formimit të qeverisë së re.

    Ndërsa Nënkryetarja tjetër e e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka thënë se LDK’ja asesi nuk qeverisë me Vetëvendosjen, duke shtuar se për këtë ka unitet në parti.

    Bajrami tha se këtë qëndrim e kanë pasur edhe para fushatës e gjatë fushatës.

    “Ne kemi pasur qëndrim të qartë. Para, gjatë dhe pas fushatës – që LDK nuk shkon në koalicion me Vetëvendosjen. Është një situatë komplet ndryshe, janë disa faktorë që kanë sjellë në vendim të tillë. Ne kemi përvojë koalicioni me VV-në. E kemi parë edhe pastaj keqqeverisjen e VV në krjet mandatin. Progres asnjë fushë, asnjë projekt. Përpjekjet e tyre për autokraci”, ka deklaruar ajo në T7.

    Sipas Bajrami, hendekun e ka krijuar VV’ja me gjuhën e ofendimet gjatë fushatës e ditën e zgjedhjeve.

    “Linçimi dhe denigrimi që na e kanë bë…ata kanë edhe kanë ofenduar elektoratin, mbi 170 mijë votues të LDK-së. Krejt këto e kanë bë të tejkalueshme, që ne asnjë mënyrë nuk mund të qeverisim me ta. Hendekun e ka krijuar vetë Vetëvendosja…Kemi unitet sa i përket Vetëvendosjes, ka qenë edhe zotim i yni elektoral…që ne nuk mund të assesi të qeverisim me ta”, tha ajo.

    Bajrami: Assesi nuk qeverisim me VV-në, ka unitet për këtë në LDK

     

    Edhe Besian Mustafa nga LDK është shprehur kundër mundësisë së bashkëpunimit me Vetëvendosjen (VV), duke shtuar se LDK preferon opozitën.

    ”Mes një qeverie jo stabile dhe opozitës do të zgjedhim opozitën. Si është e mundur të jemi me VV-në kur nuk i shkojmë as në takim. Nuk e ndryshojmë mendimin tonë”, tha Mustafa.

    Ai tutje ka shtuar se ”Për të qenë LDK në Qeveri në këtë pikë politike do të insistoj që përveç të udhëheq atë qeveri të ketë edhe qeveri stabile”.

    Mustafa tha se partia e tij nuk ka frikë, por ka qëndrime të ndryshme lidhur me të kaluarën dhe të ardhmen e Kosovës, që e bëjnë të pamundur një bashkëpunim me VV-në në kuadër të një Qeverie.

    Ai shtoi se refuzimi i LDK-së për takim me Kurtin ka të bëjë edhe me gjuhën e përdorur gjatë fushatës.

    ”LDK ka një histori, pajtohem që rezultati i kësaj Qeverie është situata në të cilën gjendet Kosova dhe u pajtova se janë shtresuar arsyet e përgjigjes së LDK-së ndaj VV-së, letra ka të bëjë edhe me gjuhën. Nuk ka çështje frike, po ka çështje të mendimeve për të ardhmen e Kosovës për të kaluarën dhe për të ardhmen që nuk dëshirojmë të jemi pjesë e qeverisë me VV-në”, tha Mustafa.

    Ai gjithashtu ka shprehur dyshime se një Qeveri e udhëhequr nga LDK-ja mund të rregullojë brenda 7 muajve dëmet që, sipas tij, janë shkaktuar nga qeverisja e Albin Kurtit gjatë 4 viteve të tij në pushtet.

    Ai theksoi se përballja me pasojat e këtyre dëmeve do të kërkojë më shumë kohë dhe angazhim.

    ”Nuk mendoj që brenda 7 muajve edhe një Qeveri e udhëhequr nga LDK-ja t’i kthehet të gjitha dëmet që Kurti i ka bërë për 4 vite”, tha Mustafa në RTV 21.

    Kryeministri në detyrë Albin Kurti  gjatë ditës së djeshme ka refuzuar të flasë për ftesën për konsultim që i bëri kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e i cili gjatë ditës së djeshme e refuzoi.

    Kurti u pyet për këtë çështje gjatë homazheve në Koshare, por refuzoi të komentojë.

    Gjatë ditës së djeshme kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka refuzuar ftesën e kryetarit të VV-së, njëherit kryeministër në detyrë, Albin Kurtit, për takim konsultativ për formimin e Qeverisë dhe Kuvendit, shkruan Reporteri.net.

    Mirëpo, ka thënë se LDK e pret dhe e mbështet konstituimin e Kuvendit më 15 prill dhe se nuk do të ketë pengesë.

    “Sado që unë dhe LDK nuk udhëhiqemi nga inati; sado që ne besojmë në dialog, bashkëpunim e komunikim njerëzor e politik; një takim i tillë – madje edhe konsultativ – do të ishte kapërcim fatal i dinjitetit njerëzor dhe politik. Mes ‘hajvanatit’, ‘mbytjes së LDK-së’, ‘bashkëpunëtorëve të Serbisë’, mes moçalit të madh të pështymave ndaj nesh – unë, LDK dhe votuesit tanë – nuk e gjejmë veten as për konsultim. Sepse fjalët, si edhe bindjet, kanë peshë”, ka shkruar Abdixhikiu ndër të tjera.

    Fesa për takim Abdixhikut i kishte shkuar të hënën.

    Kurti për takimin me Abdixhikun kishte caktuar dy orare, më 9 prill në ora 15:00, dhe 10 prill në ora 09:00 ose 14:00.

    “Me qëllim të konstituimit të plotë të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe procesit të zgjedhjes së Qeverisë së re, për t’u konsultuar paraprakisht, ju ftoj në takim të mërkurën, me datë 9 prill, në orën 15:00, apo të enjten, me datë 10 prill, në orën 9:00 ose në 14:00”, thuhej në letrën që Kurti ia ka dërguar Abdixhikut.

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka caktuar 15 prillin si datë ku do të mbahet seanca konstituive e Kuvendit./Reporteri.net/

    Kurti nuk flet për refuzimin e Abdixhikut, s’tregon as se a do t’i ftojë partitë tjera për takim

     

     

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!