Kryetari i “Guxo”, Faton Peci nuk ka pasur një përgjigje kur është pyetur nëse do ta votonin presidenten Osmani, në rast se ajo kandidon për një mandat të dytë në krye të shtetit.
Peci ka thënë se në këtë fazë nuk ka mendim në lidhje me këtë çështje. Ai ka shtuar se duhet të pritet deri në vitin e ardhëm, kur do të dihet nëse Osmani do t’ia mësyjë sërish këtij posti.
“Kjo është pyetje hipotetike, mandej 6 deputetë nuk e përcaktojnë se kush do të jetë president. E vëmë një bast, në marsin e vitit të ardhshëm unë vij këtu në studio televizive kur e kemi një situatë më të qartë, kur i dimë emrat për presidentë, unë ta jap një mendim. Në këtë fazë nuk kam mendim…”, ka thënë Peci mbrëmë në RTK.
Mandati pesëvjeçar i presidentes Osmani përfundon më 7 prill të vitit 2026.
Osmani nuk ka treguar nëse synon një mandat të dytë, por ka thënë se vendimin për të garuar apo jo edhe për një mandat tjetër do ta marrë “vetëm duke pasur parasysh interesin” e Kosovës dhe qytetarëve të saj.
“Nga viti i ardhshëm do të diskutojmë për këtë çështje. Gjatë gjithë karrierës sime politike, kam punuar gjithmonë duke pasur parasysh interesin e Kosovës dhe qytetarëve të saj. Asnjëherë, asnjë vendim imi politik nuk është bazuar në kalkulime për atë se ku do të jem unë, por vetëm se ku do të jetë Kosova dhe qytetarët e saj”, ka thënë Osmani para disa javësh.
Zgjedhjen e presidentit, Kuvendi i Kosovës duhet ta votojë me dy të tretat e votave të 120 deputetëve sa i ka gjithsej. /Reporteri.net/