×
  • Lajme
  • Lajme / Vrasja e Muhamed Likës

    Këta janë togeri dhe rreshterja që i suspendoi IPK, neglizhuan urdhëresën për arrestimin e Rejhan Belës

    Reporteri
    23 Prill 2025 | 17:21

    Inspektorati Policor i Kosovës ka suspenduar nga puna sot një toger dhe një rreshtere të Policisë së Kosovës, për moszbatimin e urdhëresës për arrestimin e Rejhan Belës, i dyshuar për vrasjen e rreshterit policor Muhamed Lika,  në fillim të muajit prill në Kaçanik.

    Gazeta online Reporteri.net merr vesh se të suspenduarit janë Jaser Jaha me gradën toger dhe Jalldëze Krasniqi, rreshtere.

    Për suspendimin e tyre ka njoftuar edhe IPK  përmes një komunikate.

    Në komunikatën e IPK-së thuhet se një toger ka qenë në dijeni dhe s’ka ndërmarrë veprime konkrete për arrestimin e të dyshuarit, ndërsa një rreshter ka dështuar të raportojë me kohë dhe saktësi për urdhëresën për arrest si dhe dyshohet se nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për ekzekutimin e saj.

    “Hetuesit e IPK-së, bazuar në kompetencat ligjore sipas detyrës zyrtare ka filluar të ndërmarrë veprime hetimore paraprake lidhur me veprimet policore për zbatimin e urdhëresës për arrestimin e personit R. B ((i dyshuar lidhur me rastin e vrasjes së rreshterit policor Muhamet Lika). Nga veprimet paraprake hetimore të ndërmarra dhe komunikimet zyrtare të pranuara, ekziston dyshimi i arsyeshëm se deri në këtë fazë të hetimit, dy zyrtarë policorë kanë dështuar në kryerjen e detyrave zyrtare dhe kanë treguar neglizhencë serioze në zbatimin e urdhëresës për arrestimin e personit të dyshuar R.B”.

    “Nga informacioni i dokumentuar dhe i siguruar nga IPK-ja ekziston dyshimi se një toger policor në pozitën e shefit të sektorit të operativës, ka pasur dijeni për urdhëresën për arrest, por dyshohet se nuk ka ndërmarrë veprime konkrete operative për lokalizimin dhe kapjen e personit të kërkuar. Gjithashtu, bazuar në veprimet hetimore dyshohet se një rreshter policor i angazhuar në cilësinë e mbikëqyrësit në njësinë ndërlidhëse për gjykata, ka dështuar të raportojë me kohë dhe saktësi për urdhëresën për arrest si dhe dyshohet se nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për ekzekutimin e saj”,

    Që të dy zyrtarët policorë për të cilët IPK i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e tyre kanë qenë të angazhuar me detyrë në stacionin policor të Kaçanikut.

    “IPK vlerëson se dështimi i tyre në zbatimin e një vendimi të formës së prerë nga gjykata, cenon besueshmërinë institucionale dhe përbën bazë për procedim disiplinor dhe hetim të mëtejmë administrativ dhe penal”, thuhet në komunikatën e IPK-së. /Reporteri.net/

     

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!