Është ndarë nga jeta Agim Maka (07.05.1956 – 28.04.2025), një prej figurave më të spikatura të historisë politike dhe shoqërore të këtij qyteti.
Agim Maka ishte kryetari i parë i Degës së LDK-së në Junik, në një periudhë të vështirë për Kosovën, kur organizimi politik dhe qytetar kërkonte guxim, urtësi dhe përkushtim të jashtëzakonshëm.
Njoftimin e dha kryetari i komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu.
Përveç angazhimit politik, Agimi kishte një karrierë të gjatë profesionale dhe shërbeu në disa pozita. Pas përfundimit të luftës, ai u emërua Kryeshef Ekzekutiv i Komunës së Deçanit, funksion të cilin e ushtroi deri në vitin 2004. Më pas, vazhdoi karrierën në sektorin bankar deri në pensionimin e tij në vitin 2021, duke dhënë gjithmonë shembullin e profesionalizmit dhe përkushtimit.
Në vitet ’90, Agim Maka ishte një ndër kontribuuesit aktivë në procesin e pajtimit të gjaqeve, duke ndihmuar në forcimin e unitetit dhe paqes brenda komunitetit.
Agim Maka la pas një trashëgimi të çmuar morale dhe qytetare që do të mbetet frymëzim për brezat e ardhshëm.
Në nderim të jetës dhe veprës së tij, Komuna e Junikut organizoi një mbledhje komemorative më 29 prill 2025, ndërsa ceremonia e varrimit mbahet në ora 16:00 në varrezat e qytetit në Junik, lagjja Gacafer.