Drejtoria e Zhvillimit Ekonomik në Komunën e Pejës ka marrë vendim që të shtyhet për një afat të pacaktuar diskutimi publik për Draft-Rregulloren për taksën e akomodimit prej 1 euro në Komunën e Pejës, diskutim ky i ciliishte paraparë që të mbahej sot, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Sipas një njoftimi të Komunës së Pejës, ky diskutim vjen si shkak i nevojës për takime tjera shtesë të përbashkëta me ekspert të turizmit dhe bizneset që ofrojnë akomodim në Komunën e Pejës.
“Dretoria për Zhvillim Ekonomik ju njofton se pas diskutimeve të shumta me ekspert të çëshjtjes, stafin e inspektoratit dhe pas diskutimeve me ekspert të fushës së turizmit dhe sektorit privat të hotelerisë, kemi marrë vendim që konsultimi publik për Draft-Rregulloren për taksën e akomodimit në Komunën e Pejës, i datës 30.04.2025 të shtyhet për një afat të pacaktuar”, thuhet mes tjerash në vendimin e marrë nga kjo Drejtori.
Për taksën e cila ishte propozuar që të ishte 1 euro për të gjithë turistët që akomodohen, gazetarja e Gazetës Online Reporteri.net, Leonora Kolukaj kishte raportuar në fillim të muajit prill.
Në një bisedë me Kryetarin e Pejës, Gazmend Muhaxherin, ai kishte thënë se kjo taksë do bëhej për të regjistruar turistët, e cila do të shkonte për mirëmbajtjen e gjelbërimit në Bjeshkët e Rugovës.
“Ajo është kompetencë e Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik, e cila e ka ba një propozim që në të ardhmen për me mujt mi regjistru turistët që flejnë në villa në Rugovë, e që do të shërbente për mirëmbajtjen e gjelbërimit e pastërtisë në Bjeshkët e Rugovës”, kishte thënë Muhaxheri për Reporteri.net.
Për këtë taksë, kur Gazeta Online Reporteri.net kishte raportuar, kishte folur edhe ish drejtori i Financave në Komunën e Pejës, Jeton Abazaj, gjë për të cilën ai kishte thënë se mund të ndikonte negativisht.
“Një gjë negative që më ka ra në sy tani është se Komuna ka fillu një rregullore për vendosjen e një takse për turista. Komuna po pretendon dhe po krenohet që ka me i detyru turistat me pagu taksë 1 ose 2 euro. Për mendimin tim kjo ka me ndiku akoma më tepër që njerëzit mos me ardhë në Pejë”, kishte thënë ai.
/Reporteri.net/