Një përleshje mes vajzave ka ndodhur sot në afërsi të Stacionit të Autobusëve në Prishtinë, e cila ka përfunduar me ndërhyrjen e Policisë dhe përfshirjen e Prokurorisë.
Ngjarja filloi kur një 23-vjeçare dyshohet se sulmoi fizikisht një 21-vjeçare, në prani të Policisë, shkruan gazeta online Reporteri.net. E para e akuzonte të dytën për vjedhje të 100 eurove nga kuleta e saj.
Sipas burimeve të gazetës online Reporteri.net, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që 23-vjeçarja të lirohet në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet për rastin të vazhdojnë.
Situata eskaloi më tej kur një tjetër vajzë, po ashtu 21-vjeçare – motra e të dyshuarës – dyshohet se ka sulmuar zyrtarët policorë. Ajo sipas këtyre burimeve se i ka kapur për uniformë policëtdhe ka tentuar t’u ndërhyjë në detyrë duke u përpjekur t’u heqë nga duart motrën e saj.
Prokurori i rastit ka udhëzuar Policinë që të sigurojë pamjet nga kamerat e sigurisë për të dokumentuar incidentin dhe, nëse konfirmohet sulmi ndaj zyrtarëve, të iniciohet rasti për “pengim të personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare”.
Rasti aktualisht mbetet i hapur dhe nën hetime.