×
  • Lajme
  • Lajme / Kriza institucionale

    Takimi i së enjtes, Osmani po planifikon t’i bëjë bashkë Kurtin, Krasniqin, Abdixhikun e Haradinajn

    Reporteri
    12 Maj 2025 | 16:34

    Presidentja Vjosa Osmani po planifikon që të enjten t’i pres drejtuesit e partive politike në dy grupe. 

    Osmani po planifikon që në një takim të përbashkët t’i pres kreun e Vetëvendosjes, Albin Kurti, atë të PDK-së, Memli Krasniqi, kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku e Ramush Haradinajn e AAK-së, merr vesh gazeta online Reporteri.net.

    Takimi konsultativ është thirrur për të enjten, në ora 13:00, në Presidencë.

    E pas këtij takimi, ndaras nga shefat e partive shqiptare, e para e vendit i ka thirrur në takim të përbashkët përfaqësuesit e partive minoritare, raporton gazeta online Reporteri.net.

    Thirrjen e takimit konsultativ, pa dhënë detaje rreth formatit, e ka konfirmuar sot Këshilltari për media i Presidencës, Bekim Kupina.

    Deri më tani ftesës së Presidentes Osmani i janë përgjigjur pozitivisht Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Kurse nga Vetëvendosje dhe LDK ende nuk kanë dhënë ndonjë qëndrim.

    Se Partia Demokratike e Kosovës, do të marrë pjesë në takimin e ftuar nga Presidentja Vjosa Osmani me krerët e partive politike në vend, në tentim për të gjetur një zgjidhje për dalje nga kriza institucionale e ka konfirmuar zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu.

    “Po, Kryetari Memli Krasniqi ka pranuar ftesën për takim nga Presidentja Vjosa Osmani. Na vjen mirë që, ashtu siç ka propozuar PDK, po ndërmerren hapa institucionalë që shpresojmë se mund të jenë ndihmues për të dalë nga kriza politike dhe për të hapur rrugën drejt krijimit të institucioneve të reja. Kryetari Krasniqi do të merr pjesë në takim, me shpresën që të gjitha partitë të marrin pjesë me konstruktivitet dhe duke e vendosur interesin e qytetarëve në radhë të parë. Kosova ka nevojë për institucione të reja sa më parë.”, ka thënë Avdullahu për Reporteri.net.

    Edhe zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemajli ka thënë për Reporteri.net se do të marrin pjesë në takim.

    “Po, kryetari Ramush Haradinaj do të marrë pjesë në takimin e thirrur nga Presidentja”, tha Xhemaili.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!