Ambasadorë të vendeve të QUINT-it kanë dhënë deklarata krejt të ndryshme me Qeverinë e Kosovës për takimin e sotëm ndërmjet tyre dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Përderisa në njoftimin e ZKM-së pu tha se temë qendrore e takimit ka qenë procesi i anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, ambasadorët deklaruan se në takim u fol për nevojën e krijimit sa më të shpejtë të institucioneve të Kosovës, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Sot pasdite e takova kryeministrin në detyre Albin Kurti me ambasadorët e tjerë të QUINT’-t. E inkurajova për formimin sa më të shpejtë të qeverisë së re për të vepruar në interes të Kosovës dhe popullit të saj duke bërë progres në çështjet jetike, siç është zhbllokimi i financimit dhe procedimi drejt integrimit euro-atlantik.”, ka shkruar Hargreaves.
Edhe Ambasada e Italisë në Kosovë njoftoi se në takim është theksuar nevoja për formimin sa më të shpejt të një qeverie të re, që Kosova të ecë përpara në rrugën euroatlanatike.
“Sot ambasadorët e QUNIT-it takuan kryeministrin në detyrë Kurti. U theksuar nevoja për formimin e një qeverie të re sa më shpejt, në mënyrë që Kosova të mund të ecë përpara në prioritetet kryesore siç është avancimi drejt integrimeve euroatlantike”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së Italisë.
Ndërkohë, sipas njoftimit të ZKM-së, temë qendrore e takimit ka qenë procesi i anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, ndërsa thuhet se Kurti ua ka rikujtuar ambasadorëve se Kosova i ka plotësuar kriteret për të qenë pjesë e kësaj organizate.
“Temë qendrore e takimit ishte procesi i anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës. Kryeministri rikujtoi se Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës dhe raportuesja për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës tashmë kanë konfirmuar se Kosova i plotëson kriteret ligjore dhe institucionale për të qenë pjesë e kësaj organizate të rëndësishme ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.
Tutje Kurti ka theksuar se me vonesën e anëtarësimit të Kosovës po vazhdon t’u mohohet qytetarëve e drejta për qasje në Gjykatën Evropiane të të drejtave të Njeriut.
“Ai theksoi se avancimi i mëtejmë i vendit tonë në procesin e pranimit do të tregonte se reformat demokratike dhe linjëzimi me normat dhe vlerat evropiane njihen dhe vlerësohen madje dhe në kontekste të vështira politike në të cilat kërkohen vendime parimore dhe strategjike që përforcojnë unitetin dhe qëndrueshmërinë evropiane. Si rezultat i vonesave në anëtarësim, shtoi më tej kryeministri, po të vazhdohet t’u mohohet qytetarëve të Kosovës, përfshirë komuniteteve joshumicë dhe grupeve tjera të cenueshme, e drejta në qasje në Gjykatë Evropiane të të Drejtave të Njeriut, një mekanizëm ky mbrojtës kyç që do të mund të forconte ndjeshëm të drejtat individuale dhe llogaridhënien”, thuhet në komunikatë.
Gazeta online Reporteri.net gjatë ditës raportoi se temë e këtij takimi pritej të ishte edhe kriza institucionale në Kosovë e krijuar pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, situata e sigurisë në veri të vendit dhe tema të tjera të aktualitetit.
Reporteri.net nga vendi i ngjarjes solli pamje teksa ambasadorët e QUNIT-it po dilnin nga takimi. Ata u panë tek bisedonin me njeri-tjetrin, për disa minuta, në oborrin e Qeverisë së Kosovës, për tu larguar më pas. /Reporteri.net/