Albert Zogaj, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), ka ngritur shqetësimin për raste kur gjyqtarët intervistohen nga organet e rendit në lidhje me vendimet që kanë marrë, duke e cilësuar këtë si një ndër cenimet më të rënda të pavarësisë së gjyqësorit.
“Kemi sfida të tjera që nuk i kemi thënë publike. Po e them një, nëse sot intervistohet një gjyqtar qoftë te prokurori, qoftë te polici me urdhër të prokurorit dhe situatën kur vendimi i gjyqtarit është thjesht përgjegjësi e gjyqtarit, intervista mbi vendimmarrjen – kjo është krejtësisht e papranueshme. Ka raste të tilla definitivisht, absolutisht, pra ka situata ku gjyqtari intervistohet në polici ose te prokurori për vendimmarrjen. Është cenimi më i rëndë që mund t’i bëhet detyrës së gjyqtarit. Definitivisht, ne i fitojmë që me hetu secilin në momentin kur ka vendim të kundërligjshëm, por kur vendimi i përmbush kriteret për të qenë i kundërshtueshëm, është favorizues ndaj dikujt apo ka përfitu gjyqtari. Jo veç pse ka një kallëzim penal ndaj gjyqtarit, intervistohet gjyqtari. Kjo e dekurajon gjyqtarin dhe krijon pasiguri tek ai, pa përjashtu edhe rastet e tjera që mund të jetë koncept i cenimit të pavarësisë së gjyqtarit”, deklaroi Zogaj.
Në lidhje me bashkëpunimin me Këshillin Prokurorial të Kosovës, Zogaj tha se marrëdhënia është pozitive, por ende ka vend për përmirësim.
“Ne me KPK kemi një bashkëpunim të mirë, por për çështje që kemi për ndërveprim e besoj që kemi hapësirë më shumë për bashkëpunim. Pra, nëse akoma kemi sot raste në gjykata kur seanca dështon për shkak të mospjesëmarrjes së prokurorit, tregon që bashkëpunimi i kryetarit të gjykatës dhe kryeprokurorit nuk ka qenë në nivel të duhur. Në qoftë se ne kemi sfida të përbashkëta të adresueshme në raport të progresit dhe nuk kemi pasur takime të mjaftueshme, kjo tregon që definitivisht akoma ka hapësirë.”/Betimi për Drejtësi