Presidentja Vjosa Osmani, pas takimit me presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa ka kërkua nga BE që të hiqen masat ndaj Kosovës.
Ajo kërkoi që Kosovës t’i hapet rruga drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe bëri thirrje për heqjen e masave të vendosura nga BE, të cilat, sipas saj, po dëmtojnë drejtpërdrejt qytetarët.
“Shpresojmë që shtetet anëtare më në fund të pajtohen për heqjen e masave që po dëmtojnë qytetarët tanë. Çdo minutë më shumë me këto masa, është një pengesë për jetësimin e ëndrrës evropiane. Është koha që aplikimi i Kosovës të trajtohet me prioritet dhe Komisioni Evropian të mandatohet për ta shqyrtuar atë,” tha Osmani.
Ajo theksoi se aplikimi i Kosovës për anëtarësim nuk duhet të mbetet “një dokument i arkivuar”, por të kthehet në një proces aktiv drejt integrimit të plotë në familjen evropiane.
Osmani ka vlerësuar vizionin e presidentit të Këshillit të Bashkimit Evropian për zgjerimin e BE-së si një projekt me rëndësi strategjike, që sipas saj forcon paqen në të gjithë kontinentin.
Osmani theksoi se nevoja për hapa të guximshëm në këtë drejtim nuk është më vetëm një mundësi, por një domosdoshmëri.
“Është koha që kjo të reflektohet përtej fjalëve, përmes hapave konkretë,” u shpreh presidentja.