×
Art/Kulturë

Ernest Koliqi, tregimtari modern shqiptar dhe misionari i shkollës shqipe

Reporteri
20 Maj 2025 | 10:41

Më 20 maj 1903, lindi në qytetin e Shkodrës, Ernest Koliqi, një nga figurat më të gjithanshme të kulturës shqiptare të shekullit XX. Ai ishte mësues, poet, romancier, eseist, përkthyes, gazetar, dramaturg, botues dhe pedagog.

Së bashku me Mitrush Kutelin, Koliqi cilësohet si themelues i tregimit modern shqiptar, ndërsa si ministër i Arsimit mbetet i njohur për nismën e jashtëzakonshme të dërgimit të 200 mësuesve në trojet shqiptare jashtë kufijve shtetërorë të Shqipërisë.

Formimi i tij letrar u ndërtua mbi bazat e shkollës italiane, ndikim që do të reflektohej më vonë në veprën dhe vizionin e tij intelektual. Koliqi ishte themelues dhe drejtues i tri prej revistave më të rëndësishme kulturore të kohës: “Ora e Maleve”, “Shkëndija” dhe “Shêjzat”. Gjatë më shumë se tri dekadave, ai shërbeu si mësues dhe profesor në universitetet e Padovës dhe Romës, ku mbeti një figurë e respektuar në fushën e albanologjisë.

Kontributi i tij në kritikën letrare dhe në historinë e letërsisë shqipe lidhet ngushtë me themelimin e “Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe” në Universitetin e Romës, si dhe me krijimin e “Institutit të Studimeve Shqiptare” në Tiranë, më 1940, institucione që i dhanë dimension të ri studimeve shqiptare në perëndim.

Edhe pse veprimtaria e tij politike ishte e shkurtër, mandati si ministër i Arsimit gjatë viteve 1939–1941 shënoi një periudhë të rëndësishme në përhapjen e gjuhës shqipe përmes hapjes së shkollave dhe botimeve në gjuhën amtare. Ndër veprat më të njohura të tij janë: “Kushtrimi i Skanderbegut”, “Hija e maleve”, “Tregtar flamujsh”, “Pasqyrat e Narcizit” dhe “Kangjelat e Rilindjes”.

Në vitin 1939, në Universitetin Shtetëror të Romës u krijua Selia e Albanologjisë, ku Koliqi u emërua profesor ordinar , një detyrë që e mbajti deri në daljen në pension, përveç një ndërprerjeje të shkurtër gjatë kohës kur shërbeu si ministër.

Ernest Koliqi u nda nga jeta më 15 janar 1975 në Romë, duke lënë pas një trashëgimi të pasur letrare, arsimore dhe kulturore që vijon të ndriçojë ndër breza./si/

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!