Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, në Sesionin Pranveror të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, që këtë vit po mbahet në Dayton të Shteteve të Bashkuara, ka theksuar rëndësinë e ndërhyrjes në kohë në Kosovë, që ndihmoi në parandalimin e një katastrofe.
Ai tha se pa udhëheqjen amerikane, nuk do të kishim një Kosovë të pavarur.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës luajtën një rol historik në sigurimin e paqes tre dekada më parë. Pa udhëheqjen amerikane, Marrëveshja e Dayton-it nuk do të kishte qenë e mundur. Pa udhëheqjen amerikane, nuk do të kishim një Kosovë të pavarur. Për më tepër, rajoni ynë nuk do të kishte arritur stabilitetin e tij aktual pa angazhimin e qëndrueshëm të SHBA-së”, ka deklaruar Begaj.
Tutje ai vlerësoi partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke thënë se janë të përkushtuar ta forcojnë atë.
“Ne shqiptarët e nderojmë dhe e vlerësojmë thellësisht miqësinë tonë me Shtetet e Bashkuara dhe jemi të përkushtuar ta forcojmë atë për brezat që do të vijnë”, tha Begaj.
Ai vlerësoi angazhimin e vazhdueshëm të SHBA-së, NATO-s dhe BE-së në rajonin e Ballkanit, ndërsa shprehu përkushtimin si anëtare e Aleancës Euroatlantike për të forcuar solidaritetin, unitetin dhe kohezionin e NATO-s.